POLITIKË /

PD ankohet tek Delegacioni i BE: Deklaratat e Marta Kos për 11 Majin nuk reflektojnë realitetin!

Shkruar nga Versus

PD ankohet tek Delegacioni i BE: Deklaratat e Marta Kos për 11 Majin nuk

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i ka dorëzuar një Notë-verbale Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ku e informojnë për deklaratat e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Bardhi shpjegon se qëndrimi i PD-së lidhet me deklaratën e Komisioneres gjatë konferencës për shtyp të datës 21 Nëntor në Tiranë, ku ajo u shpreh: “Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme. Është gjithmonë mirë kur marrim sugjerime për përmirësime, dhe kjo është një gjë e mirë për Shqipërinë dhe Bashkimin Evropian.”

Në Notën-Verbalen e dorëzuar deputeti i PD-së shkruan: “ky vlerësim nuk reflekton realitetin e vërejtur gjatë procesit zgjedhor. Deklarata e tillë duket e papërputhshme me gjetjet e OSBE-ODIHR, nuk merr parasysh vëzhgimet e eurodeputetëve dhe rrezikon të ndikojë besimin e qytetarëve shqiptarë tek institucionet e Bashkimit Europian”.

Gazment Bardhi i referohet raportit final të OSBE-ODIHR dhe rikujton gjithashtu mbledhjen e Komitetit për Çështjet e Jashtme, AFET,  të Parlamentit Evropian më 4 qershor 2025, ku eurodeputeti Michael Gahler, kryetar i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri, evidentoi “strukturat kriminale të ngulitura në Shqipëri që kanë interes të ruajnë pushtetin politik për të vazhduar aktivitetet e pastrimit të parave dhe trafikut të drogës”. 

Sipas tij ndikimi i këtyre rrjeteve deformon procesin zgjedhor, dhe është një pengesë e madhe për integrimin e vendit tonë në BE.

Partia Demokratike pretendon në qëndrimin e saj se raporti i OSBE-ODIHR nuk jep përfundimin se zgjedhjet ishin të lira, pasi sipas tyre ndershmëria dhe liria kërkojnë garë të barabartë për të gjithë kandidatë, mungesë presioni mbi qytetarët dhe respektim të plotë të kritereve të Kopenhagenit.

Përmes Notës-Verbale demokratët kërkojnë që deklaratat e ardhshme të jenë në përputhje me gjetjet faktike të institucioneve përgjegjëse për vëzhgimin e zgjedhjeve, sipas tyre interpretimet personale dëmtojnë besimin tek institucionet e Bashkimit Europian./Versus.al

Poll