
Partia Demokratike kërkon mocion me debat për gjetjet e OLAF-it, për fondet e BE-së në Shqipëri, në Konferencën e Kryetarëve, por kjo kërkesë është rrëzuar nga mazhoranca me justifikimin se nuk është koha e duhur për realizimin e mocionit.
Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD-së, i kushtoi rëndësi të veçantë krijimit të një Komisioni të Posaçëm, në koordinim dhe me BE, me anë të së cilit do të munden të adresojnë çdo problem, por sipas mazhorancës tashmë kjo çështje i është besuar drejtësisë për hetim.
“Kuvendi të analizojë gjetjet e OLAF, se çfarë nuk ka shkuar me fondet e BE dhe të marrë çdo masë që mundësojnë zhbllokimin e fondeve nga BE. Prandaj edhe kërkesa për debat dhe rezoluta janë në këtë linjë. Gjithashtu kërkojmë që nëpërmjet një Komisioni të Posaçëm në koordinim edhe me BE të adresojmë çdo problem”, -tha Bardhi.
Kërkesa e opozitës është rrëzuar nga deputetët e Partisë Socialiste me anë të shumicës së votave dhe sipas tyre kjo çështje është në duart e SPAK dhe hetimi i saj i përket vetëm drejtësisë.
Kërkesa e Grupit Parlamentar të PD vjen pas një hetimi të kryer nga Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve (OLAF), e cila njoftoi zyrtarisht se ka identifikuar keqpërdorimin e 33 milionë eurove fonde të BE-së në ndihmë të bujqësisë shqiptare dhe rekomandoi bllokimin e paketës së radhës prej 112 milionë euro, për sa kohë nuk ka masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Konkretisht OLAF zbuloi disa parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të disa projekteve, ku përfshiheshin: (1) Aplikantëve u kërkohet t’i paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale; (2) Kontratat që jepen pa konkurrim, ose me konkurs të manipuluar (me oferta false që dorëzohen); (3) Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale./ Versus.al








