
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla mbajti një deklaratë për mediat pas takimit që socialistët me në krye Ramën mbajtën në kryesinë e Kuvendit. Duke iu përgjigjur veprimit të demokratëve të cilët njoftuan se do të bojkotonin komisionet për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, Balla tha se PS nuk pranon kërcënime apo shantazhe.
Ndërsa shtoi se puna në dy komisionet nuk do të mbahet peng me idenë se komisionet bashkëdrejtohen pasi PS do të ndryshojë shumicën.
“Kushte, kërcënime, shantazhime me histori komisionesh apo votimesh në Kuvendin e Shqipërisë ndaj PS, nuk ka. Me historinë që ne ikim, ne s’vijmë ne nuk votojmë… ata të shohin punën e vetë, ne tonën. Ne do të presim reflektim nga ana e tyre, është vendim emocional, i mirëkuptueshëm në kushtet e javës së kaluar, por besoj se emocionet do u kalojnë dhe pas gjelit të detit dhe bakllavasë. Në janar t’i rikthehen punës. Në rast se nuk do e bëjnë një gjë të tillë ju them se ata e prishin për të mos marrë pjesë në komision, ne e prishim dakordësinë për të ndryshuar shumicën në të dyja komisionet. Nëse mendojnë se mund të marrin peng komisionet meqë janë bipartisan, atëherë ne do respektojmë vullnetin e shqiptarëve të cilët kanë caktuar se kush është shumica dhe kush pakica. Pakica nuk e merr dot peng nevojën e reformave”- u shpreh Balla. Versus.al


