
Një faqe fake, synon vjedhjen e të dhënave personale të shqiptarëve duke i adresuar ata njësoj si e-albania.
Alarmi është dhënë nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike i cili përmes një njoftimi apelon për kujdes nga faqet false që imitojnë institucionet zyrtare.
AKSK thotë se është njoftuar për një rast phishing të shpërndarë përmes rrjeteve sociale, kryesisht në Facebook, ku përdoruesit ridrejtohen në një faqe që imiton platformën zyrtare e-Albania me qëllim vjedhjen e të dhënave personale dhe kredencialeve të aksesit.
“Menjëherë pas identifikimit të rastit, AKSK ka ndërmarrë masat përkatëse dhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, domain-et dhe adresat IP të përdorura në këtë aktivitet keqdashës janë dërguar për bllokim pranë AKEP.
BËNI KUJDES! Mos klikoni në linke të dyshimta që ju vijnë në rrjetet sociale eapo aplikacione komunikimi. Mos vendosni të dhënat tuaja personale apo bankare në faqe të pa verifikuara. Verifikoni gjithmonë adresën zyrtare të platformave përpara se të identifikoheni.
Platforma zyrtare e e-Albania aksesohet vetëm përmes adresave zyrtare institucionale. Sulmet phishing synojnë të mashtrojnë qytetarët përmes imitimit të faqeve të njohura dhe kërkojnë vigjilencë të shtuar nga çdo përdorues online”, thuhet në njoftim.

