Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka zhvilluar sot një mbledhje në kryesinë e Kuvendit ku tematikë kryesore e diskutimeve kanë qenë amendamentet e buxhetit 2025 të cilat pritet të diskutohen nesër gjatë seancës plenare që do të mbahet në orën 10:00.
Mësohet se edhe Partia Demokratike do të depozitojë 33 amendamente për ndryshime në buxhetin e planifikuar.
Më 19 nëntor Kuvendi miratoi në parim me 75 vota pro dhe 40 kundër buxhetin për vitin 2025.
Ndërsa e nesërmja pritet të jetë një seancë ndryshe, me rikthimin në Kuvend të kryedemokratit Sali Berisha i cili u lirua nga arresti shtëpiak disa ditë më parë me vendim të GJKKO. Ish-kryeministri ka munguar në sallën e Kuvendit prej më shumë se 11 muajsh që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar kur gjykata i caktoi masën 'arrest shtëpie' për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Versus.al








