Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ekonomisë, kreu Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ka zbuluar edhe një rast të largimit nga puna të njërit prej punonjësve i cili i kishte shprehur shqetësimin se nuk kishte patur mundësi që të auditonte punën e kryeministrit Edi Rama gjatë kohës që ky i fundit mbante edhe kompetencat e ministrit të Jashtëm, por në fakt detyra ushtrohej nga zv.ministri Gent Caka.
Shehu tha se për shkak të kësaj situate punonjësi ishte larguar nga institucioni dhe se më tej i kishte dërguar shkresa të ndryshme.
“Kam marrë një kërkesë nga një auditues, punonjës pjesë e stafit të KLSH, i cili më ka shfaqur një shqetësim në punën audituese, nëse më lejoni ta shpreh. Më ka kërkuar, ka qenë pjesë e stafit auditues në ministrinë e Jashtme. Në atë periudhë drejtohej nga zv.ministri Caka dhe audituesi më ka shprehur pamundësinë për të adresuar gjetjet. Kemi kërkuar shpjegim të shqetësimit të tij dhe më ka thënë se nuk është problem transmetimi tek zoti Caka, por mungesa e mundësisë për t’ja transmetuar gjetjet kryeministrit sepse ai duhet të jetë autoriteti drejtues në ministrinë e Jashtme.
Për shkak të situatave të ndryshme, punonjësi është larguar nga institucioni dhe për momentin e largimit jam i gatshëm t’ju relatoj problematikat që ka mbajtur. Në vazhdimësi më ka dërguar shkresa të ndryshme, rast konkret ku ka transmetuar një lloj përmbledhje të punës dhe më ka shprehur se ai dhe një grup do t’i kërkonte institucioneve ndërkombëtare…”- tha Shehu ndërsa u ndërpre nga kryetarja Milva Ikonomi e cila i kërkoi që të përqendrohej tek raportimi i veprimtarisë së institucionit dhe jo tek raste personale.
“Ne këtë çështje e kemi marrë me një letër që një pjesë e punonjësve të KLSH u ka dërguar anëtarëve të këtyre komisioneve, nuk e kemi për ta shqyrtuar si objekt të raportimit tuaj. Sot jeni për të raportuar mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2024”- tha Ikonomi mes të tjerash.
Ndërsa Shehu e përfundoi deri në fund atë që kishte nisur të thoshte duke zbuluar se pasi ishte larguar nga KLSH, punonjësi i kishte dërguar një letër duke i shprehur se do t’u drejtohej institucioneve ndërkombëtare që të ofronin ndihmë në auditimin e punës së kryeministrit.
“Në letrën e drejtuar më është shprehur se do u drejtohej institucioneve ndërkombëtare që mua si kryetar i KLSH të më jepet mbështetja e duhur për të audituar punën e kryeministrit sepse unë nuk kam mundësi për shkak të frikës që të auditoj punën e kryeministrit. Tani Çfarë duhet të bëjë në këto lloje situatash? Unë e fus veten tek ata individë që i frikësohen Zotit dhe ligjit”- shtoi Shehu. Versus.al
