
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median prestigjioze italiane Corriere della Sera, ku ai flet për marrëdhëniet Shqipëri–Itali, bashkëpunimin strategjik, qendrimin ndaj qendrave të migrantëve në Shëngjin, procesin e integrimit europian dhe sfidat gjeopolitike të momentit.
Shkrimi i plotë:
Samiti i parë ndërqeveritar Itali–Shqipëri në Villa Doria Pamphilj, në Romë, ripërsëriti marrëdhënien gjithnjë e më të ngushtë mes dy shteteve dhe atë personale (dhe politike) mes kryeministres Giorgia Meloni dhe kryeministrit Edi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare shkoi deri aty sa të thoshte se Italia dhe Shqipëria janë një “vend i vetëm”. Megjithatë, polemikat — politike dhe gjyqësore — mbi qendrat për migrantë të ngritura nga Italia në territorin shqiptar vijojnë të shkaktojnë debat.
“Ajo që mund të them është se edhe në këtë dosje kemi qenë dhe jemi krah për krah me qeverinë italiane”, thotë Rama në intervistën për Corriere della Sera.
Kryeministër, në çfarë konteksti të marrëdhënieve Shqipëri–Itali vendoset ky takim në Romë?
“Samiti mes dy qeverive është një zhvillim historik në marrëdhëniet tona strategjike. Ai hap perspektiva të reja bashkëpunimi në sektorë kyç si energjia, mbrojtja, siguria kufitare dhe në planin gjeopolitik, pa dyshim”.
Është folur shumë për qendrat e migrantëve të ngritura në veri të Shqipërisë. Në ç’fazë janë këto struktura?
“Nuk kam asgjë për të shtuar përtej asaj që ka shpjeguar shumë qartë kryeministrja juaj”.
(Meloni kishte deklaruar në konferencën e përbashkët: “Jo të gjithë kanë kuptuar vlefshmërinë e këtij modeli. Shumë kanë punuar për ta frenuar apo bllokuar, por ne jemi të vendosur të ecim përpara.”)
Kryeministër, më lejoni të insistoj: funksionojnë apo modeli duhet rishikuar?
“Pakti i ri europian për migracionin do të na tregojë se si do të evoluojnë këto qendra. Dhe grupi i vendeve të përfshira është i konsiderueshëm”.
Ka pasur shumë akuza për menaxhimin e këtyre qendrave, sidomos për kostot e larta për një numër të vogël migrantësh, si edhe për çështjet ligjore. Si përgjigjeni?
“Akuzat tashmë janë bërë pjesë e jetës sonë, të cilën rrjetet sociale e mbysin çdo ditë me baltë, ndërsa ritmi marramendës i informacionit e bën gjithnjë e më të vështirë të kuptosh të vërtetën, sepse këmbët e gënjeshtrave janë bërë edhe më të shpejta. Shqipëria nuk ka investuar asnjë euro në këtë projekt, ndaj të paktën në këtë rast nuk mund të akuzohemi si zakonisht”.
Cilët janë dosjet ku dy vendet po punojnë së bashku këto muaj?
“Integrimi europian i Shqipërisë, të cilin me të drejtë kryeministrja Meloni e quan ‘riunifikim europian’, projektet infrastrukturore, energjetike, ushtarake dhe natyrisht fronti i përbashkët kundër trafiqeve dhe emigracionit të paligjshëm”.
Anëtarësimi i Shqipërisë në BE ende nuk po konkretizohet. Sa larg jemi?
“Shqipëria gjendet në një moment vendimtar. Këto ditë po hapim kapitullin final të negociatave dhe deri në vitin 2027 duam t’i mbyllim”.
Ç’rol prisni të ketë Roma në këtë proces?
“Italia është avokati tradicional i Shqipërisë në BE. Është zëri ynë më i fortë në Bruksel. Shqipëria nuk do të mund ta shlyejë kurrë borxhin moral ndaj Italisë për gjithçka ka bërë për ne. Shqiptarët këtë nuk do ta harrojnë kurrë”.
Italia ka kaluar vite të vështira politikisht dhe nuk është dukur shpesh në qendër të skenës europiane. Si është sot roli i saj në Bruksel?
“Giorgia Meloni e ka çuar përfaqësimin e Italisë në një nivel tjetër në arenën ndërkombëtare, dhe kjo tashmë pranohet gjerësisht. Të gjithë duan të dinë çfarë mendon kryeministrja italiane për çdo çështje që shqetëson komunitetin ndërkombëtar”.
Me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe aleancën strategjike Rusi–Kinë–Indi, BE duket e vënë nën presion.
“Po, është e vërtetë. Por në një farë mënyre këto zhvillime përbëjnë një mundësi të madhe për zgjimin e Bashkimit Europian”.
Dosja e Ukrainës mbetet e hapur. A ka ardhur momenti që Kievi të dorëzojë territore — siç kërkojnë disa — apo integriteti territorial është i panegociueshëm?
“Shqipëria mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës dhe asnjë zgjidhje që cenon kufijtë e saj sovranë nuk mund të pranohet si përfundimtare. Por njëkohësisht është shumë shqetësuese që Europa ende nuk ka një plan të saj të paqes. Dhe shpresoj që të mos vijë aq vonë sa vetë fundi i luftës”.
