Udhëheqësit evropianë zbarkojnë në Shqipëri të premten për një takim që me siguri do të dominohet nga lufta në Ukrainë, por vendet e vogla të Ballkanit shpresojnë që zgjerimi i BE-së të jetë gjithashtu në fokus në Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Ngjarja, ku marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia pritet të mbajnë bisedimet e para për paqen që nga ditët e para të konfliktit. Tema të tjera do të përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe migracionin.
Por kjo është gjithashtu një kohë kyçe për Shqipërinë, një nga vendet më të varfra të Evropës, me 2.4 milionë banorë, që ende përpiqet të çlirohet nga ndikimi i dekadave të sundimit komunist shtypës dhe të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Vendi po përgatitet për fluksin e së premtes. Aeroporti i vogël i Tiranës, që po rinovohet në kuadër të një bum turistik në rritje, tha në një postim në Instagram se fluturimet mund të ndërpriten për shkak të trafikut të shtuar ajror.
Kufizimet në trafik në gjithë kryeqytetin pritet të shtojnë bllokimet në unazën tashmë të mbingarkuar. Rrugët për këmbësorët në qendër, ku samiti do të zhvillohet në një tendë të re të madhe konferencash, gjithashtu do të jenë të kufizuara.
“Kur sheh se sa shumë ka përparuar Shqipëria dhe që organizon një takim të tillë me liderët e BE-së dhe MB-së, është kënaqësi të shohësh që po ndodh”, tha Dritan Hoti, 46 vjeç, i cili është rritur në vitet e fundit të komunizmit.
“Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur, pavarësisht të gjitha problemeve që ka përballuar.”
Përpara se të anëtarësohet në BE, Shqipëria duhet të heqë qafe reputacionin si një qendër për pastrimin e parave nga trafiku i armëve dhe drogës, ku disa jetojnë në luks dhe shumë të tjerë në varfëri.
Transparenca politike është gjithashtu e rëndësishme, pas një zgjedhjeje të diskutueshme që kryeministri Edi Rama e fitoi bindshëm zyrtarisht, por që po hetohet nga prokurorët vendas dhe është cilësuar si e manipuluar nga opozita.
Kreu i opozitës dhe ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë thirrje për një protestë paqësore gjatë samitit të së premtes.
Ekspertët thonë se marrëveshja e Ramës për të pranuar emigrantë nga Italia, për të rritur prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe për të hapur vendin ndaj investimeve të huaja – përfshirë ato të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner – kanë përforcuar shanset e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.
“BE-ja po kërkon një histori suksesi,” tha Andi Hoxhaj, ekspert për Ballkanin në King’s College London. “Shqipëria dhe Mali i Zi mund të kenë një dritare mundësie, pasi të dy janë vende shumë të vogla dhe nuk do të kenë ndikim apo presion të madh mbi BE-në.”
Shumëçka varet nga sa shumë e duan vendet e Ballkanit anëtarësimin. Hoxhaj tha se BE-ja ka humbur një pjesë të besueshmërisë në rajon, pjesërisht sepse e ka bërë anëtarësimin shumë të vështirë.
Kosova dhe Serbia gjithashtu kanë aspirata për në BE, ndonëse një konflikt i kahershëm mes tyre ka ngadalësuar përparimin.
Kosova është nën sanksione të BE-së për shkak të rolit të kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në veriun e saj që kufizohet me Serbinë. Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, këtë javë mori pjesë në përkujtimet e fitores së Luftës së Dytë Botërore në Moskë, pavarësisht kundërshtimeve nga Brukseli./ Reuters







