POLITIKË /

Socialistët me abstenim shpëtojnë sërish mandatin e Xhaçkës nga Kushtetuesja: I drejtohemi Venecias!

Kjo është hera e tretë që socialistët pengojnë dërgimin e mandatit të Xhaçkës për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Shkruar nga Versus

Socialistët me abstenim shpëtojnë sërish mandatin e

Tiranë- Për herë  të tretë është rrëzuar në Kuvend urdhri i Gjykatës Kushtetuese për të dërguar për shqyrtim mandatin e deputetes Olta Xhaçka nën dyshimet e papajtueshmërisë pasi cilësohet në konflikt interesi për shkak se bashkëshorti i saj u shpall investitor strategjik nga qeveria.

Ndryshe nga dy rastet e mëparshme, socialistët këtë herë zgjodhën që të abstenojnë në shumicë me 65 vota dhe vetëm 9 prej tyre u shprehën kundër.

Opozita me 25 vota pro për të dërguar mandatin e Xhaçkës në Kushtetuese nuk kishte asgjë në dorë.

Socialistët me abstenim shpëtojnë sërish mandatin e
Votimi në Kuvend

Pavarësisht deklaratës së bërë nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj e cila tha se askush nuk mund të vendosë të mos ekzekutojë vendimin e GJK, sërish përfundimi doli i njëjtë. Nga ana tjetër, kryeparlamentarja Elisa Spiropali bëri me dije se nga sot do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për opinion lidhur me këtë çështje, faturë ekonomike të cilën do e paguajë shteti shqiptar.

“Kuvendi ka zbatuar gjithë procedurën parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqenëse ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar, që nesër si kryetare e Kuvendit do ti drejtohem komisionit të Venecias për të marrë një mendim të specializuar mbi standardet e zbatueshme në vendimmarrjet e pushtetit legjislativ, raportin dhe konkurrueshmërinë e parimeve të parashikuara në të drejtën kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, tha Spiropali.

Mandati i Xhaçkës është kthyer në çështje diskutimi që në qershor të vitit 2022, kur 14 deputetë demokratë, iu drejtuan parlamentit me një mocion për konstatimin e pavlefshmërisë dhe përfundimin e mandatit të ish ministres. Paralelisht, disa ditë më vonë një mocion i ngjashëm u paraqit dhe nga një tjetër grup deputetësh të opozitës. Sipas tyre zonja Xhaçka ishte në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, kishte përfituar statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut. Ndërkohë që vetë zonja Xhaçka ka këmbëngulur se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi që ka përfituar bashkëshorti i saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë. Versus.al

Poll