
Kryeministri Edi Rama ka lënë të kuptohet se akuzat e bëra nga ana e opozitës ndaj tij, jo vetëm që nuk e shqetësojnë, por madje edhe ka gjetur momentin t’i ironizojë ato.
Gjatë episodit 7 të sezonit të tretë të podcastit të tij “Flasim”, kreu i qeverisë kishte të ftuar dy ekspertë të prokurimeve publike për të biseduar rreth temës “Çfarë mendon BE për tenderat në Shqipëri?”. Pjesë e diskutimeve ishin detajet sesi ka ndryshuar pjesa e Prokurimit Publik në vend sidomos pas zyrtarizimit të negociatave për anëtarësimin në BE sa i takon grupkapitullit të parë “Themeloret”.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, Rama përdori ironinë teksa iu drejtua të ftuarve: “keni të bëni me njeriun më të korruptuar që mund të ekzistojë”, e më tej “nuk e di ç’të them, ose duhet të çmendesh, ose duhet ta bësh atë punë”.
Mes të tjerash, ai përdori edhe batuta sa i takon prokurimeve publike, duke thënë që më mirë t’i lihen në dorë Inteligjencës Artificiale në mënyrë që të mos kishte më akuza ndaj qeverisë së tij.
“Unë mendoj kështu në këtë pikë. Ti ndan një pjesë të vogël të fajit të të gjithë ne “hajdutëve” këtu. Unë mendoj që sikur t’ja linim inteligjencës artificiale ta merrte gjithë baltën dhe t’u themi, shiko ne s’kemi më punë fare. Shkoni gjejeni ku është dhe bjerini për grabitje fondesh. Se kështu na mbytën”- tha mes të tjerash Rama me batutë.
Së fundmi, u mor zyrtarisht i pandehur deputeti i PS, Plarent Ndreca lidhur me tenderat e rikonstruksionit të 4 komisariateve në vend gjatë kohës kur ishte Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Brendshme. Versus.al








