
Ditën e djeshme u publikua lajmi se deputeti socialist Plarent Ndreca është marrë i pandehur nga SPAK nën akuzën e shkeljes së barazisë së tenderave të ndërtimit në 4 komisariate të vendit. Sot avokati i tij u paraqit në SPAK për të tërhequr aktet hetimore.
Por lidhur me këtë rast, ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili në rrjetin e tij social ka publikuar edhe një video nga emisioni “Opinion” ku Plarent Ndreca vetëm pak ditë më parë e mohonte të kishte një kallëzim të bërë ndaj tij edhe pse Bardhi shprehej i bindur se SPAK e ka marrë të pandehur.
“Deputeti i Edi Ramës gënjeu publikisht kur deklaroi se është e pavërtetë që është nën hetim nga SPAK. Por, gënjeshtra mbulon zullumin vetëm për disa orë apo ditë, por e vërteta triumfon përgjithmonë!
E vërteta është që tenderat publik në Qeverinë e Edi Ramës janë kthyer në mundësi vetëm për klientë të paracaktuar, duke eleminuar garën dhe meritokracinë. Klientelizmi dhe korrupsioni janë e vetmja formë për të bërë biznes në Shqipëri gjatë qeverisjes së Edi Ramës.
Për këtë nevojiten zyrtar publik si Plarent Ndreca, që për shërbimet në shkelje të ligjit, për mbështetjen ndaj klientelizmit dhe korrupsionit, shpërblehen nga Edi Rama duke u promovuar si deputet!”- shkruan Bardhi bashkangjitur videos së publikuar.
Mes Bardhit dhe Ndrecës pati edhe një përplasje me akuza në rrjetet sociale të tyre. Versus.al








