Sekretari Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi ka zhvilluar ditën e sotme një takim me strukturat në Shkodër, ku ka folur për mediat edhe lidhur me zhvillimet e fundit politike, që nga kaosi i PD në Kuvend e deri tek kërkesa e tyre për krijimin e një qeverie teknike.
Sa i takon kaosit të shkaktuar në seancën plenare të së hënës, Klosi i cilësoi si akte vandalizmi dhe tha se përgjigjia do të jetë e njëjtë si për persona të tjerë që i kryejnë këto akte.
“Ajo që ndodhi në Parlamentin e Shqipërisë nga opozita nuk është politikë, nuk është politikë e acaruar, ajo është një vepër penale në opinionin e të gjithëve besoj. Është dëmtimi i pronës shtetërore me vetëdije, natyrisht edhe rrezikim i jetës jo vetëm të Kryetares së Parlamentit që u godit në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme me mjetet të rënda por edhe ajo që rrezikimi i djegies së gjithë Parlamentit shqiptar, pra vënia e zjarrit të një prone aq të rëndësishme, jo vetëm prone shtetërore por edhe simbolike siç është Parlamenti i Shqipërisë. Veprimi i opozitës nuk besoj se hyn në politikë, hyn në vandalizëm, prandaj përgjigja do jetë si për vandalët”- tha Klosi.
Ndërsa për kërkesën e krijimit të një qeverie teknike, zyrtari socialist e fokusoi të gjithë diskursin e tij tek kryeministri Edi Rama, duke deklaruar se PD e ka të pamundur fitoren përballë tij dhe prandaj kërkon qeveri teknike.
“Ajo që në thamë edhe në takimin në Shkodër, mesazhi i vetëm që vjen nga PD është kërkesa e tyre për një qeveri teknike, pra kërkesa e tyre që të iki Edi Rama sepse me Edi Ramën ata nuk fitojnë dot dhe kjo nuk është më problemi i PS duhet që të jetë problemi i tyre që nuk arrijnë të gjejnë dot asnjë mundësi për t’u përballur me Edi Ramën dhe PS dhe në këto kushte ne kemi vetëm një përgjigje, forcimin e PS dhe organizimin e saj në gjithë territorin dhe kërkesën që jo vetëm të fitojmë 2025 por ta fitojmë bindshëm dhe natyrisht të tregojmë forcën që kemi në terrenin elektoral edhe përgjigjen që do ta japin qytetarët për mënyrën se si kemi transformuar Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i PS.
Sipas tij, kërkesa e opozitës për qeveri teknike, nuk është as çështje për t’u diskutuar. Ndërkohë ditën e djeshme, policia referoi në SPAK materialet dhe provat e mbledhura nga kaosi i shkaktuar nga deputetët e PD në Kuvend të cilët dogjën edhe karriget e ligjvënësve. Versus.al








