Florian Haçkaj, aktivisti i njohur për kauzat e Diasporës ka reaguar në rrjetet e tij sociale lidhur me përmendjen e emrit të tij në diskutimet mes partive opozitare për të qenë kandidat për bashkinë e Tiranës.
Duke u shprehur i nderuar për përmendjen e emrit të tij, Haçkaj thotë se vetëm në rast të ndonjë propozimi zyrtar mund të ketë një lloj vendimmarrje nga ana e tij. Ndërsa theksoi nevojën jetike të opozitës për një figurë përbashkuese, duke vlerësuar edhe dy emrat e tjerë të përmendur si kandidatë të mundshëm, Edlira Çepani dhe Ermal Hasimjen.
“Ndihem i nderuar që emri im është propozuar si një nga kandidatët e mundshëm të opozitës për Bashkinë e Tiranës dhe falënderoj të gjithë ata që e kanë sugjeruar dhe mbështetur këtë ide.
Ky nuk është vetëm një vlerësim personal, por edhe një njohje e rolit që Diaspora për Shqipërinë e Lirë ka dhënë dhe mund të japë në forcimin e opozitës dhe në zhvillimin demokratik të vendit. Çdo angazhim politik kërkon vendimmarrje të matur dhe përgjegjësi të lartë e një vendim i tillë mund të merret vetëm në rast të një propozimi zyrtar.
Opozita ka nevojë jetike për një figurë përbashkuese. Si Edlira Çepani ashtu edhe Ermal Hasimja janë personalitete që i vlerësoj dhe që do ta përmbushnin më së miri këtë detyrë”- shprehet Haçkaj në postimin e bërë. Versus.al







