Kryetarja në detyrë e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani ka shkarkuar nga detyra nënkryetaren Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm të institucionit, Alban Dokushit, të dy njerëz të besuar të Veliajt.
Ende nuk dihen arsyet e shkarkimit, por ky veprim ka ngjallur shumë polemika për shkak se vjen menjëherë pas përplasjes që u raportua më herët mes Veliajt dhe Ramës sa i takon drejtimit të bashkisë më të madhe të vendit.
Me anë të një urdhri të firmosur nga qelia, Veliaj shkarkonte Ristanin si të deleguarën e tij dhe emëronte Sara Goxhajn në vend të saj. Mediat raportuan se ky urdhër i Veliajt shkaktoi ‘furtunë’ në bashkinë e Tiranës ku kishte mbërritur kryeministri Edi Rama i cili kishte urdhëruar moszbatimin e urdhrit dhe ndalimin e hyrjes në bashki për Dokushin dhe Goxhajn.
Pas këtyre zhvillimeve, Veliaj reagoi me një status në rrjetet sociale ku shprehej se nuk kishte asnjë përplasje me Ramën dhe bëhej fjalë për një keqkuptim duke shtuar se Ristani do të vijojë të mbetet kryetare e komanduar.
Ristani reagoi për emisionin ‘Opinion’ duke mohuar përplasjet dhe duke thënë se ndryshe nga çfarë ishte portretizuar si ‘besnikja’ e Ramës, me kryeministrin ishte takuar vetëm pasi ishte deleguar në krye të bashkisë Tiranë. Versus.al







