
Vendimi i kryebashkiakut Erion Veliaj për t’i hequr Anuela Ristanit kompetencat e kryetares në detyrë, që më pas u anulua, ngjalli shumë debate mbi një përplasje të mundshme mes Ramës dhe Veliajt për drejtimin e kryeqytetit.
Ristani në këtë debat, u cilësua si e besuara e Ramës, ndërkohë që vetë ajo reagoi publikisht për emisionin “Opinion” duke sqaruar se nuk ka pasur debate të forta në bashki siç pretendohet në media.
Gjithashtu shtoi se etiketimi i saj si “e besuara e Ramës” nuk qëndron pasi nuk kishte komunikuar asnjëherë me kryeministrin para se të merrte detyrën si e deleguar në krye të bashkisë.
“Kam një reagim nga Anuela Ristani. Më thotë zoti Fevziu ndjesë, por duke ju ndjekur vërej se po përgojohem me të pavërteta që do ishte shumë e lehtë të mësonit se sa të pavërteta janë. Unë nuk jam e besuara e Ramës siç më quajtën aty sepse me kryeministrin nuk kisha komunikuar asnjëherë përpara se të merrja delegimin nga kryetari Veliaj. Dhe në Bashkinë e Tiranës nuk është zënë askush me “gishta në vesh” ndërsa keqkuptimi i krijuar nga pamundësia e komunikimit normal nuk ka asnjë lidhje nga fishekzjarrët mediatikë të ditës së sotme. Do të vlerësojë leximin e mesazhit tim për të korrigjuar sadopak shtrembërimin e emrit tim në publik, Anuela Ristani”, lexoi Fevziu.
Ristani u rikthye në krye të bashkisë si e deleguara e Veliajt dhe vetë kryebashkiaku nga burgu u shpreh se nuk kishte asnjë përplasje mes tij dhe Ramës, por një keqkuptim mes grupit drejtues të bashkisë që e kishte bërë të firmoste nga burgu dokumentin për drejtimin e bashkisë. Versus.al







