POLITIKË /

VIDEO/ 4 kërkesat e protestuesve shkojnë në Kuvend, Gazment Bardhi: Ja paketat ligjore që do të kërkojmë shfuqizimin, Rama të tërhiqet

Përmes një reagimi publik, Bardhi deklaroi se Partia Demokratike do të kërkojë shfuqizimin e katër ligjeve që, sipas tij, përfaqësojnë modelin e favorizimeve, mungesës së konkurrencës dhe cenimit të interesit publik

Shkruar nga Versus

VIDEO/ 4 kërkesat e protestuesve shkojnë në Kuvend, Gazment

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë të ditur se opozita ka përgatitur paketën e parë të nismave ligjore që, sipas tij, lidhen me kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian për procesin e integrimit të Shqipërisë.

Përmes një reagimi publik, Bardhi deklaroi se Partia Demokratike do të kërkojë shfuqizimin e katër ligjeve që, sipas tij, përfaqësojnë modelin e favorizimeve, mungesës së konkurrencës dhe cenimit të interesit publik.

Sipas Bardhit, paketa përfshin shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjit për Paketën e Maleve, si dhe disa dispozitave të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Ai theksoi se këto janë çështje që prej vitesh janë ngritur si shqetësim nga Partia Demokratike, ndërsa pretendoi se ligjet në fjalë janë përdorur nga qeveria për të shtrembëruar konkurrencën, për të cenuar të drejtën e pronës dhe për të krijuar favore për grupe të caktuara interesi.

Bardhi shtoi se opozita do të depozitojë nismat në Kuvend, duke kërkuar rishikimin e kuadrit ligjor që, sipas tij, ka ndikuar negativisht në garën e ndershme dhe në mbrojtjen e interesit publik.

Deklarata vjen në një kohë kur debati politik është përqendruar te projektet e investimeve strategjike dhe zhvillimet në zonat e mbrojtura, çështje që kanë nxitur reagime dhe protesta nga grupe të ndryshme qytetare. Versus.al

Poll