
PD organizoi sot një protestë në qytetin e Lushnjës, kundër mungesës së standardeve të shërbimit në spitalin e këtij qyteti.
Dhjetëra banorë të Lushnjës kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me gjendjen e spitalit të qytetit dhe mungesat në shërbimin shëndetësor, të cilat sipas tyre vijojnë prej kohësh.
Tubimi është thirrur me nismën e deputetit të Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për të kërkuar përmirësimin e kushteve në institucionin spitalor.
Protestuesit kanë ngritur shqetësime për mungesën e pajisjeve mjekësore, problemet në infrastrukturë dhe vështirësitë në ofrimin e shërbimeve ndaj pacientëve, duke theksuar se situata aktuale po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e trajtimit shëndetësor.
Pas grumbullimit, qytetarët kanë nisur marshimin në këmbë drejt bashkisë së Lushnjës, ku pritet të zhvillohet një tjetër tubim për të paraqitur kërkesat e tyre para autoriteteve vendore.
Banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë reagimet e tyre në rast se, sipas tyre, nuk merren masa konkrete për përmirësimin e kushteve në spital.Versus.al

