POLITIKË /

“Zgjedhjet më të rëndësishme në historinë tonë”, Rama mbledh kandidatët e Tiranës: Të bindim njerëzit që të na votojnë për të hyrë në BE

Shkruar nga Versus

“Zgjedhjet më të rëndësishme në historinë

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës me të cilët ka folur lidhur me rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit. Ai tha se duhet të përpiqen të bindin votuesit që të votojnë PS me synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, rrethanat janë të tilla dhe një mundësi e tillë nuk do të vijë sërish për vendin tonë.

“Këto janë të parat zgjedhje që kanë një rëndësi të posaçme gjeopolitike për Shqipërinë. Për herë të parë mundësia e hyrjes së Shqipërisë në BE është reale, e prekshme. Nuk e kemi vënë asnjëherë në dyshim, por nuk ka qenë asnjëherë e dyshuar as nga partnerët tanë që Shqipëria do jetë anëtare e BE. Por asnjëherë si sot, kjo nuk ka qenë diçka konkrete. Është hapur një dritare që nuk do qëndrojë e hapur përgjithmonë, por që rrethanat e brendshme të Evropës e kanë hapur.

Ky është një nga ato momente kur treni i historisë kalon përpara nesh dhe kur ne duhet të ndërgjegjësojmë këdo që treni i historisë nuk rri aty pafundësisht. Ne nuk duhet ta humbim këtë tren dhe ne nuk do ta humbim. Sot është ekzistenciale që ne të jemi në BE. Këtu ka një diskutim për të bërë, ka nevojë që të gjithë ne, në të gjitha kontaktet, t’u flasim njerëzve për rëndësinë e këtij momenti dhe rëndësinë e ndryshimit të statusit tonë”- tha kryeministri.

Më tej, tha se nga anëtarësimi në BE varet edhe Reforma në Drejtësi dhe theksoi se pala tjetër e opozitës dëshiron të kthejë pas progresin e bërë në fushën e drejtësisë.

“Se shpesh dëgjoj njerëz që e kanë perceptim të gabuar për anëtarësimin në BE, iu duket diçka me rëndësi relative, por kjo është rëndësi ekzistenciale. Vetëm duke hyrë në BE, mund të sigurojmë njëherë e mirë lirinë individuale që është e kërcënuar përsa kohë nuk jemi në BE. Siç është e kërcënuar barazia para ligjit.

Ne jemi këtu autorë të Reformës në Drejtësi dhe në vend të parë për kosto nga ky proces. Përballë nesh janë forcat që duan votat për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani”- shtoi Rama. Versus.al

Poll