Unpublished /

"Gjatë komunizmit, UBT ishte qendër ekselence", Rama: Bujqësia, o nëne o nëne! Na duhen njerëz të ditur

Shkruar nga Versus

"Gjatë komunizmit, UBT ishte qendër ekselence", Rama:

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe ata të universitetit të BOKU-t të Vienës ku foli lidhur me programet që do të aplikohen në institucionin e lartë të arsimit shqiptar për ta bërë atë një qendër ekspertize.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë shprehu se UBT gjatë kohës së komunizmit kishte qenë një qendër ekselence, ndërsa pas shembjes së regjimit, sipas Ramës ky institucion u kthye në “degjenerim publik”.

“UBT ka kaluar dy faza në historinë e vetë. në një fazë ishte qendër ekselence reale me kushte të vështira e mjete të kufizuara, por ishte pikë referimi. Kjo ishte koha para përmbysjes së regjimit kur UBT ishte burimi më i rëndësishëm i dijes për ato nevoja të bujqësisë. Ama pedagogët e UBT ishin akademikë dhe dijetarë të jashtëzakonshëm.

Pastaj pati një fazë tjetër, të rrënimit, braktisjes dhe degjenerimit publik të tij. Përveç burimeve njerëzore brenda mureve të universitetit të trashëguara, asgjë tjetër nuk mbeti aty. Rektori përsëriti disa herë një telefonatë a thua se ishte ndonjë zë profetik nga mali, por ajo ishte pasi bëmë një ndërhyrje të rëndë e të turpshme të çlirimit të UBT nga pushtues që e kishin marrë të gjithë për historitë e tyre të qofteve e deri tek shitja e të brendshmeve”- u shpreh Rama.

Ndërsa më tej tha se duhet që ky universitet të krijojë baza të shëndetshme për të nxjerrë njerëz të ditur të cilët të ndihmojnë në ofrimin e ekspertizës për plotësimin e kushteve të caktuara në negociatat me BE-në sa i takon kapitullit të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Bujqësia dhe zhvillimi rural janë një kapitull më vete që është o nëne o nëne. Realisht, ata pedagogë këtu që merren pak ose shumë këtu me pjesën e direktivave europiane e dinë shumë mirë, mjedisi dhe bujqësia është kapitull më vete, ujërat dhe menaxhimi i mbetjeve janë më vete dhe të gjitha këto bashkë janë dhimbje e madhe e kokës për ne.

Ne na duhet dije, na duhen shumë njerëz të ditur. Baza është ky universitet, nuk bëhet kjo me miell të huaj, sado që të marrim ekspertë e ndihmë. Na duhet ky brumë që kjo furrë të bëhet gati për ta pjekur. Por prurjet janë shumë të rëndësishme, është interes kombëtar mbështetja pa rezervë e kësaj reforme dhe këtij universiteti. Të gjitha universitetet duhet ta kenë të qartë se nëse duan mbështetje, duhet të bëjnë atë që bën UBT”- u shpreh Rama. Versus.al

Poll