Nga mbledhja e zhvilluar së fundmi mes Kryeministrit Edi Rama, deputetëve të Tiranës dhe drejtuesve të Bashkisë, kanë dalë zhvillime të rëndësishme për administratën e kryeqytetit. Burime të sigurta për Versus.al bëjnë me dije se Kryeministri ka vendosur largimin e të gjithë nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës, përfshirë edhe Anuela Ristanin.
Në mbledhje, Rama është shprehur se është momenti për të riformatuar drejtimin e bashkisë me profile të reja, që do të mbulojnë sektorë të ndryshëm deri në zgjedhje – pa caktuar një afat konkret.
Ndërkohë, zv.kryeministrja Belinda Balluku ka marrë në dorë procesin e vlerësimit të drejtorëve ekzistues. Prej ditësh, ajo po zhvillon intervista të mbyllura, ku ka kërkuar të mos jetë e pranishme Anuela Ristani, por vetëm sekretari i përgjithshëm i institucionit.
Nga raportimet e bëra në mbledhje për zonat në administrim, Rama ka vlerësuar vetëm punën e IMT-së dhe Policisë Bashkiake, megjithëse ka theksuar se edhe këto struktura nuk janë pa probleme dhe kërkojnë përmirësim të menjëhershëm./Versus.al/