
Një akt i rëndë dhe tronditës është regjistruar në zonën turistike të Llogarasë, në jug të vendit, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë gjahu drejt një tufe prej 22 kuajsh që lëviznin të lirë.
Ngjarja ka ndodhur katër ditë më parë, por është bërë publike vetëm së fundmi. Sipas burimeve nga terreni, nga të shtënat janë vrarë katër kuaj dhe tre të tjerë janë plagosur, ndërsa një pjesë e tufës është shpërndarë në pyll dhe aktualisht rezulton e humbur.
Dyshohet se pas këtij akti të dhunshëm qëndron një konflikt i mundshëm mes pronarëve të guidave turistike në zonë, për shkak të konkurrencës së rritur. Një pjesë e konsiderueshme e kuajve që frekuentojnë Llogaranë përdoren për atraksione turistike dhe qëndrojnë të lirë në natyrë, ku shpesh janë një pikë referimi për vizitorët.
Policia e Vlorës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet, ndërsa komuniteti vendas dhe aktivistët për mbrojtjen e kafshëve kërkojnë ndëshkim për autorët dhe masa për të mbrojtur faunën e zonës nga dhuna dhe abuzimi./Versus.al






