AKTUALITET /

PËRGJIMET/ “Me Shqipërinë jemi në rregull”, pronari i Wisdom blinte dhurata për ministren dhe vartësit? Evis Kushi flet ekskluzivisht për Versus.al

Ndërkohë që në dosjen e prokurorisë italiane shfaqet emri i Shqiponja Telhajt si zyrtarja shqiptare të cilët pronarët e Wisdom do i dhuronin një çantë me vlerë 1200 euro, ish-ministrja Evis Kushi sqaroi për Versus.al se nuk kishte asnjë dijeni për diçka të tillë dhe se emri i saj ishte përmendur për shportat e Krishtlindjeve që u dhurohen institucioneve në fundvit.

Shkruar nga Versus
PËRGJIMET/ “Me Shqipërinë jemi në rregull”,
Foto: Ish-ministrja Evis Kushi, pronarët e Wisdom Lucia Catalano dhe Savino Cianci (të proceduar) dhe drejtoresha e ASCAL, Shqiponja Telhaj

Versus.al vijon të zbardhë dosjen e prokurorisë së Tranit në Itali, që ka zbuluar një rrjet kriminal diplomash false që varionin nga 7.000-10.000 euro. Në përgjime sipërmarrësit flasin për ish-ministren Kushi dhe 2 vartëse të saj si dhe tregojnë me detaje sesi i blenë çanten Luis Vuitton prof. Aquila (Shqiponja) Telhaj, Kryetare e Bordit të Akreditimit pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

Kanë folur lirshëm nëpër zyra, makina pa e ditur se kishin çimkat e prokurorisë kudo. Përgjimet ambientale të kryera me urdhër të Prokurorisë së Tranit, ku në fokus kanë disa biznesmenë italianë të cilët kanë ngritur një sistem mes Shqipërisë, Spanjës, Qipros e Britanisë për të dhënë diploma të rreme kanë zbuluar biseda shumë interesante. “Aktorët” kryesorë të kësaj skeme, Lucia Catalano dhe Savino Cianci shprehen pasi blejnë disa dhurata Krishtlindjesh “se me Shqipërinë janë në rregull…”

Në listën e tyre për dhurata figurojnë emra shumë të njohur, mes të cilëve titullarët më të lartë të Ministrisë së Arsimit apo dhe ambasadës italiane. Në dosjen hetimore te siguruar nga Versus.al, tregohet sesi dhe ku u ble çanta prej 1150 euro e prof. Dr Shpiponja Telhaj, emri i të cilës në dosje figuron Aquila Telhaj si dhe një dhuratë rreth 1000 euro për avokatin shqiptar që dy sipërmarrësit italianë kanë në Shqipëri, të blera në dyqanin luksoz të “Luis Vuitton”.  

PËRGJIMET/ “Me Shqipërinë jemi në rregull”,

DOSJA

Në faqen 216 të dosjes hetimore shkruhet: “Duke konsideruar vështirësitë e hasura për të marrë akreditimin e Wisdom në Shqipëri, Catalano dhe Cianci përfitojnë nga periudha e Krishtlindjeve për të “kërkuar mënyra për të falenderuar subjekte të përfshirë në procesin e autorizimit.” Ata blejnë në një dyqan me artikuj lëkure të markës Luis Vuitton dhuratën për avokatin Egli Haxhiraj që i ka ndihmuar të hapin një ndër 7 bizneset e tyre në Shqipëri; blerjen e kuotave të Wisdom-it. Dhuratën për avokatin ata e kanë personalizuar me emrin e tij si dhe po tek Luis Vuitton ata kanë blerë dhe një çantë grash model bauletto speedy 35 me vlerë 1150 euro për prof. Aquila (Shqiponja) Telhaj, Kryetare i Bordit të Akreditimit pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë. Blerja është bërë në datë 3 mars, shkruhet në dosje në pikën e shitjes së Luis Vuitton në Bari dhe pagesa është bërë me kartë bankare.

Në hetim rezulton se dhurata i është dhënë zyrtares së lartë në 8 mars 2022 gjatë një darke. Kjo dhuratë është bërë edhe pjesë e një bisede që kanë patur më vonë me persona të tjerë Cianci, bisedë e cila rezulton e përgjuar dhe e zbardhur në hetim. Mes të tjerave, duke folur për Wisdom ai shprehet se nuk do ta rrezikonte për asgjë, as për djalin e veten këtë projekt.

“Pse të nxitojmë sot dhe më pas e gjejmë veten duke u endur, sepse nuk do të hiqja dorë kurrë, dhe do të thotë kurrë, as për djalin tim dhe për veten time. S’e rrezikoj Wisdom, sepse është e ardhmja e të gjithëve! ...por ka shumë gjëra për të bërë dhe prandaj doja të siguroja se ne kemi gjetur të gjithë sistemin, se ndoshta, se ndoshta, nuk e fus dorën në zjarr, ndoshta tashmë në fund të kësaj, ne mundemi...·" – lexohet në përgjim.

PËRGJIMET/ “Me Shqipërinë jemi në rregull”,

Ndërsa në një përgjim tjetër të bërë në makinën Maserati të Ciancit dalin dhe emra të tjerë. Lucia Catalano dhe Savino Cianci bëhen gati për të përgatitur dhuratat që do të dorëzojnë për festat e fundvitit. Në listën e tyre, sipas dosjes hetimore janë ambasadori Pietrangeli dhe dy punonjëse të ambasadës Lucia Cuçiarelli dhe Carlo Intaschini. Gjithashtu mediat italiane shkruajnë se përmendet edhe “Evlis Cushi” e cila sipas deklarimeve të të proceduarve, është ish-ministrja Evis Kushi si dhe disa zyrtare të ministrisë si Albana Tole dhe Eva Biz...

Në përgjimin e datës 17 mars 2022 thuhet: “E kështu janë 7, katër në ambasadë, si ministrja, zvministrja dhe zyra e akreditimit. Cianci e mbyll duke thënë “Me Shqipërinë jemi në rregull”. Në rregull ishin në fakt, derisa organet ligjzbatuese italiane i bënë gati dosjen 300 faqe dhe fletë-arrestet për 9 prej 40 personave në hetim.

PËRGJIMET/ “Me Shqipërinë jemi në rregull”,

Lidhur me këtë çështje Versus.al kontaktoi me deputeten socialiste Evis Kushi e cila asokohe drejtonte dikasterin e Arsimit. Zonja Kushi sqaroi se në asnjë moment emri i saj nuk përmendet në dosjen e prokurorisë italiane si person të cilit do t’i jepeshin dhurata në këmbim të ndonjë ndikimi prej saj në procedurën e akreditimit.

“Personi në hetim thoshte aty përpiqej që të blinte dhurata për Krishtlindje, dhurata të vogla dhe thotë emrin e shportave. Kjo është e vetmja herë ku përmendet emri im.

Në paragraf thuhet thotë shporta për Krishtlindje, jo dhurata sepse dhurata për krishtlindje mund të jenë edhe çanta. Këtu është fjala për shporta të cilat u dhurohen institucioneve për Krishtlindje. Por unë nuk e mbaj mend dhe nuk di të them nëse kanë ardhur shporta të tilla në ministri asokohe”- theksoi Kushi.

Sa i takon akreditimit të kolegjit universitar WISDOM të përfshirë në skandalin e zbuluar nga prokuroria italiane, ish-ministrja nënvizoi se institucioni i ASCAL që merret me akreditimin, vepronte i pavarur nga ministria e Arsimit dhe anëtarë të bordit ishin në shumicë të huaj me qëllim që të mos kishte asnjë lloj premise për përfshirjen e tyre në korrupsion.

“ASCAL, agjencia që akrediton universitetet, vepron totalisht e pavarur nga ministria. Pra ata përcaktojnë vetë ekspertët, komisionet. Ne kemi ngritur një bordi ku të gjithë pedagogët ishin të huaj, gjysma ishin me kombësi të huaj, pjesa tjetër shqiptarë të punësuar në universitetet prestigjoze.

Kryetarja e ASCAL-it punonte në London School of Economics që është një prej shkollave më prestigjoze në botë dhe për këtë arsye bordi ishte pothuajse i gjithi me të huaj që të ishte i pakompromentueshëm dhe të mos kishte asnjë hije dyshimi që mund të kompromentoheshin”- vijoi ish-ministrja në sqarimin e saj.

Përsa i takon dijenisë mbi përfshirjen e Shqiponja Telhajt në këtë skandal, Kushi tha se kjo e fundit zotëronte një CV të pasur sa i takon eksperiencës dhe përgatitjes profesionale, por theksoi se nuk ka asnjë dijeni për rastin dhe çfarë mund të ketë ndodhur.

“Drejtoresha mesa di unë është bërë konkurs ndërkombëtar ku kanë aplikuar profesorë nga të gjithë universitetet e botës dhe të shikojë CV-në e saj ishte shumë e përgatitur, personalitet dhe nuk kam dyshim në integritetin e saj. Por nuk di të them se çfarë mund të ketë ndodhur.  E vetmja gjë që përmendet edhe ambasadori është që ky personi që ishte i dyshuar kërkonte që të bënte dhurata për Krishtlindje, festive pra shporta krishtlindjesh dhe i përmend të gjithë me radhë aty”- shtoi ndër të tjera.

Kushi u shpreh më tej se për rastin ishte informuar nga artikulli që Versus.al publikoi ditën e djeshme the mohoi që të ishte ftuar nga prokuroria italiane për t’u pyetur lidhur me një çështje të tillë duke argumentuar se nuk ekziston asnjë rrethanë që e implikon atë në një rast të tillë.

Pyetje: Keni pasur ftesë për t’u pyetur nga prokuroria italiane?

“Jo, madje dje unë e kam lexuar nga ju (Versus.al) por nuk ka asnjë ftesë të tillë. Nuk ka sesi të ketë sepse shporta Krishtlindjesh u dërgohen institucioneve pa fund. Sërish aty nuk thuhet që janë dërguar por thuhet se ky personi kërkonte të dërgonte dhurata krishtlindjesh në kllapa shporta dhe rreshton aty 7 veta nga ambasada, 7 veta nga ministria. Është traditë e institucioneve, por nuk ka asnjë lidhje me një skemë të tillë sepse edhe nëse do donim, nuk kishim asgjë në dorë për të ndikuar”- përfundoi ish ministrja Evis Kushi.

Duhet theksuar se në Shqipëri nuk ka asnjë të ndaluar për këtë skandal me diploma false të lëshuara nga një kolegj shqiptar/ Versus.al

Poll