AKTUALITET /

3.7 mln euro evazion fiskal, prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq “Buzi Store”

Në prill, policia arrestoi Oltion Buzin, pronarin e dyqanit të njohur që akuzohet për shmangjen e detyrimeve tatimore.

Shkruar nga Versus

3.7 mln euro evazion fiskal, prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq

Tiranë- Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të subjektit ''Buzi Store'' nën dyshimin e kryerjes së veprës penale ''Fshehje e të ardhurave''.

Sipas prokurorisë, ''Buzi Store'' me pronar, Oltion Buzin, ka shmangur detyrimet tatimore dhe ka kryer evazion fiskal në shumën prej 3.7 milionë eurosh. 

Gjatë hetimit, u ushtruan kontrolle në 8 adresa të lidhura me subjektin ‘Buzi Sport’ dhe shoqërinë e fiskalizimit, ku u sekuestruan provat materiale që përfshijnë njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta dhe vlera monetare në valuta të ndryshme që arrijnë në 8,000,000 lekë, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.

Hetimet treguan se ‘Buzi Sport’ përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore. Ky sistem, që operonte përmes platformës online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat përmbanin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe ishin të pa fiskalizuara. Prokuroria ka dalë në përfundimet se në disa raste, ''Buzi Store'' lëshonte fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore.

Aksioni u krye në janar të këtij viti kur u shpall në kërkim edhe pronari Oltion Buzi, i cili u arrestua në prill pas 3 muajsh arrati. Versus.al

Poll