
Vlora përjetoi ditë më parë përmbytjet më të mëdha ndër vite të cilat sollën dëme të shumta materiale në qindra banesa dhe biznese. Sipas verifikimeve në terren, deri më tani 323 banesa dhe 73 biznese janë dëmtuar nga reshjet dhe përmbytjet e datës 4 tetor.
Drejtori i Emergjencave Civile pranë bashkisë së Vlorës, Ardian Vreshtazi tha për Report Tv se pjesa më e prekur nga përmbytjet është rajoni nr.5, konkretisht lagjet “Karabash” dhe “Kushtrim” ku dëmet materiale janë të shumta.
Emergjencat civile kanë parashikuar shumën 200 mijë eurosh si ndihmë për të prekurit nga përmbytjet, shifër kjo që vështirë se mbulon dëmin e madh të shkaktuar. Mirëpo pritet që të shuma të rritet duke përfshirë edhe donacionet. Një fond i tillë vështirë se do të zgjidhë problemet e të prekurve nga përmbytjet, pasi vetëm një prej pronarëve të farmacive të dëmtuara, u shpreh për mediat se dëmi që i është bërë kap shifrën deri në 100 mijë euro.
Për përmbytjet, qytetarët u ankuan duke thënë se askush nuk ua kishte hapur telefonin për t’ju përgjigjur kërkesave të tyre për ndihmë, ndërsa theksuan dëmin e madh të shkaktuar. Sipas tyre, përmbytjet kanë ardhur si pasojë e mungesës së punimeve periodike në terren për pastrimin e kanaleve. Versus.al








