AKTUALITET /

“Qindra mijëra euro dëme”, përmbytjet në Vlorë shkatërrojnë bizneset! Pronarët: Situatë e përsëritur, asnjë ndihmë nga shteti

Shkruar nga Versus
“Qindra mijëra euro dëme”, përmbytjet në
Përmbytjet në Vlorë dhe pronarët e disa prej bizneseve të dëmtuara

Qindra mijëra euro përllogaritet të jetë dëmi i shkaktuar nga përmbytjet gjatë pasdites së djeshme në Vlorë ku qindra biznese e banesa u pushtuan nga uji që vërshoi nëpër rrugë si pasojë e shirave të dendur.

Në intervistat e dhëna për mediat, pronarët e bizneseve flasin për dëme të shumta materiale që kapin vlerën e miliona lekëve. Fotaq Veneti, farmacist, tha për Report Tv se dëmi i shkaktuar në biznesin e tij kap shifrën e mbi 100 mijë eurove, ndërsa përshkruan me dhimbje situatën e krijuar nga përmbytjet.

“Kam farmaci. Një dëm shumë i madh, s’mund të them një vlerë fikse por diku tek 100 mijë euro produkte farmaceutike. Qepeni ka qenë i mbyllur për të penguar pjesën e përmbytjes, por duke ditur që ngelëm brenda kemi telefonuar për të dalë jashtë se situata arriti deri në 50 cm ujë brenda. Kemi qëndruar 2 orë brenda. Janë pothuajse 20-50 biznese gjithë kjo rrugë. Kjo është hera e disatë, si një katastrofë”, u shpreh ai.

Një tjetër pronar i një biznesi, market ushqimor, tha se dëmi i shkaktuar arrin deri në 5 milionë lekë të vjetra, ndërsa theksoi se e njëjta situatë me përmbytjet përsëritet çdo vit dhe se nuk kanë pasur asnjë ndihmë nga shteti.

"U bllokova në dyqan, nuk dilja dot," thotë ai, duke përshkruar prurjet e mëdha të ujit që e lanë të izoluar në dyqan. Gati 5 mln lekë të vjetra dëm, shumë keq situata. Ndodh vit për vit këtu. Hall i madh. U bllokova në dyqan nuk dilja dot. Ishin prurje të mëdha”, tha Përparim Celaj, pronar i një marketi.

Po ashtu, një pronar i një lokali në qytetin bregdetar thotë se dëmi i shkaktuar nga përmbytjet e përsëritura arrin deri në 20 milionë lekë.

“Dimër për dimër, këtu bëhet det. Jemi të detyruar ta rregullojmë çdo gjë nga vetja. Shteti nuk merr masa. Dëmi mund të jetë 1 milionë lek për pastrime, lyerje minimumi. Po jemi përmbytur nga 20 herë, më kanë vajtur 20 mln lekë, askush s’do t’ia dijë”, thotë ai, me një ndjenjë të thellë zhgënjimi.

Kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha i cili ishte dje në terren, e përshkroi situatën si tepër kritike. Dje në ndihmë të bashkisë Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, dërguan 2 moto varka, 2 ekipe të pajisur me 2 motopompa, 8 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe 30 forca ushtarake. Reshjet pushuan në orën 19:00 por deri në këtë orë sipas autoriteteve, sasia e reshjeve ishte sa prurjet e shirave gjatë vjeshtë-dimër në Vlorë. Versus.al

Poll