
I gjithë vendi ynë u përfshi nga reshje të dendura shiu përgjatë ditës së djeshme duke shkaktuar problematika në disa qarqe të vendit, si në Tiranë, Durrës, Lezhë, Vlorë e Shkodër. Në kryeqytet shumë rrugë u bllokuan nga prezenca e lartë e ujit, duke bërë që të krijohej trafik dhe vështirësi e qytetarëve për të kaluar.
Një prej qarqeve më të goditura nga moti i keq ishte Vlora, ku pati reshje të dendura shiu deri në orët e mbrëmjes. Për pasojë u bë evakuuimi i 33 familjeve të cilat mbetën të bllokuara në banesat e tyre për shkak të nivelit të lartë të ujit.
Në total, 55 persona nga 33 familjet, e kaluan natën në konviktin e qytetit. Dëme të shumta materiale janë regjistruar në biznese e banesat e lagjeve kryesore të qytetit, ku rrugët u pushtuan nga uji. Ndërsa OSSHE ndërpreu furnizimin me energji elektrike për të shmangur “një tragjedi”.
Në pamjet e publikuara ditën e djeshme shihej sesi, një grua në Vlorë u rrëmbye nga ujërat që vërshuan në rrugë. Fatmirësisht nuk raportohet për njerëz të lënduar. Versus.al







