
Aludime të shumta ka patur për sa i përket vrasjes së Faton Hajrizit nga forcat serbe, tre javë më parë.
Është spekuluar se trupi dhe fytyra e tij janë dëmtuar edhe pas vrasjes së tij.
Mirëpo këtyre zërave iu ka dhënë fund Instituti i Mjekësisë Ligjore që në momentin që 39-vjeçarit i është nisur t’i bëhet autopsia.
Që në fillim është konstatuar se nuk ka dëmtim të trupit të Hajrizit duke përjashtuar dëmtimin që vjen natyrshëm 3 javë pas vdekjes.
Burime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Kosovë janë shprehur gjithashtu se Faton Hajrizi është qëlluar nga largësia në kokë, këmbë dhe trup duke hedhur poshtë dhe aludimet se i ndjeri mund të kishte kryer vetëvrasje.
Gjithashtu burimet kanë treguar dhe momentin kur nëna e Faton Hajrizit i është afruar trupit të djalit të saj.
“E puthi në ballë, bisedonte me të por nuk derdhi asnjë pikë loti. Ne të tjerët që ishim aty nuk u përmbajtëm”, tregoi një burimi për Indeksonline.
Sipas njoftimit të familjarëve, Faton Hajrizi do të varroset ditën e nesërme në Klinë të ultë të Skenderajt, në orën 14:00./ Versus.al







