
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë sqarim për media në lidhje me deklaratën e kreut të Partisë Demokratike Sali Berishën ku tha se sipas informacioneve të tij një person i quajtur Zaho Koka ka dërguar informacion në SPAK që inkriminon Olsi Ramën.
Në njoftimin e saj SPAK shprehet në lidhje me këtë deklaratë të ish-kryeministrit ka pyetur Byronë e Hetimit (BKH) përmes një shkresë për të bërë verifikimet e nevojshme. Në përgjigjje të shkresës nga BKH thuhet se nuk ka ardhur asnjë kallzim, denoncim apo letër nga shtetësi i pretenduar si Zaho Koka.
“Nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Z. Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkresë më dt. 13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B.
Përmes kësaj shkresë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Z.Altin Dumani ka kërkuar nëse është dërguar një informacion i tillë, është rregjistruar apo caktuar ndonjë hetues i BKH-së (cili prej tyre) dhe nëse është bërë verifikimi i tij. Z.Dumani ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura.
Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se:
‘Nga verifikimet e kryera në Sekretari, Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka", njofton SPAK.
Një vit më parë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për media deklaroi se kishte marrë informacione që kanë lidhje me një letër të dërguar në SPAK.
“Me datën 7.12.2024, është protokolluar një letër e nënshkruar nga Zaho Koka, pra, dërgues anonim. Letra ka informacion për Olsi Ramën, Genti Xhixhën dhe Ermal Hoxhën. Në letër ishte një foto e qartë ku dukej Olsi Rama, Genti Xhixha në makinë në një qytet evropian. Gjithashtu në letër jepej informacion për rrëmbimin e një biznesmeni me iniciale V.B.
Në dhjetor të vitit 2015, tani fati i letrës, letra iu dha për verifikim OPGJ-së me inicialet E.T.
Më datën 11 dhjetor, ky OPGJ u thirr nga drejtuesja famoze Aida Hajno, kjo është një spiune e çmendur e Edi Ramës në BKH, dhe iu komunikua ndërprerja e veprimeve të mëtejshme”, deklaroi një vit më parë Berisha.Versus.al







