
Dosja e Plarent Ndrecës ka mbetur sërish pezull. Edhe në seancën që është mbajtur këtë të enjte nuk është marrë një vendim për kalimin ose jo në gjykim të dosjes së deputetit socialist. Në seancën që zgjati prej orës 13.00 deri rreth orës 16 kanë dhënë konkluzionet për çështjen gjysma e të pandehurve dhe avokatëve përfaqësues.
Pjesa tjetër do të përcjellë konkluzionet më datë 23 Janar, po në orën 13.00
Elora Kokalari, e cila ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Kabinetit ka paraqitur në seancën gjyqësore një fotografi të ish-ministrit Sandër Lleshaj dhe Gjon Radovanit, fituesit të projektit për rikonstruksionin e 4 komisariateve në shoqërinë e njëri-tjetrit në një ambient publik.
Prokuroria e konfirmon njohjen mes Gjon Radovanit dhe Sandër Lleshajt, por në komunikimet që SPAK ka përfshirë në kërkesë për gjykim nuk ka diskutime mes Radovanit dhe ish-ministrit për tenderin. Për këtë arsye prokuroria nuk e ka përfshirë ish-ministrin Lleshaj në hetim dhe nuk referon që ai të jetë përfshirë më tej në këtë proces.
Procedura e prokurorimit publik është zhvilluar në 2019, ndërsa SPAK thotë se Radovanin në këto rrethana e prezantoi Ndreca dhe Lleshi. Ndryshe nga ofertuesit e tjerë, prokuroria thotë se kompania e Radovanit u përzgjodh preferencialisht.
Sipas hetimeve, plani fillestar ishte për projektimin e katër godinave me fond total prej 55.2 milionë lekëve, por në ditën e fundit të vitit 2019, Ndreca që priste të firmoste kontratën, mësoi se këto para nuk ishin në gjendje e në këto kushte urdhëroi kur fondi në dispozicion ishte vetëm 35 milon lekë, të vihej në dispozicion vetëm për godinat e dy komisariateve.
Referuar hetimeve, brenda 24 orëve është përpiluar një kontratë e re me shumën 34.2 milionë lekë, që sipas prokurorisë është fryrë qëllimisht.
“Në këtë Kontratë, konstatohet se tarifa e projektimit është rritur fiktivisht në vlerën 5,696,296.9 Lekë nga ajo e paraqitur në propozimin ekonomik në fazën e konkursit të projektimit”, thuhet në kërkesë për gjykim të SPAK.
Deputeti i Partisë Socialiste akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, dhe vepra penale ka të bëjë me vitin 2019 kur ai nisi të ushtronte detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Ndreca u mor i pandehur më 25 Tetor, ndërsa dosja u dorëzua në GJKKO më 25 nëntor 2024.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë se një grup zyrtarësh të udhëhequr nga Plarent Ndreca kanë bashkëpunuar në mënyrë të qëllimshme për të favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, duke shkelur dispozitat e ligjit për prokurimet publike dhe duke I dhënë përparësi biznesmenit Gjon Radovani.
Anëtarë të njësisë së prokurimit bashkë me anëtarë të Komisionit të Ofertave (KVO) dhe një prej anëtarëve të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave kanë devijuar me qëllim dhe kanë ndërhyrë në procedurat ligjore të prokurimit./Versus.al







