Ka dështuar seanca gjyqësore e kërkuar nga Dritan Dajti i cili pretendon se e ka kryer dënimin me 25 vite burg për vrasjen e 4 policëve dhe duhet të lihet i lirë.
Mësohet se shkak për dështimin e seancës së radhës, është bërë mosparaqitja e gjyqtares Thomaidha Roca e cila ka paraqitur një raport mjekësor pasi prej disa ditësh ka probleme shëndetësore. Gjykata e ka njoftuar paraprakisht avokatin e Dajtit për mungesën e gjyqtares në seancën e planifikuar.
Dajti i cili vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, kohë më parë ishte në prag të lirimit nga qelia, por prokuroria në mars të 2019-ës ankimoi vendimin e gjykatës së Apelit për Krime të Rënda e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dajtit duke e ulur dënimin e tij nga “i përjetshëm” në 25 vite burg për vrasjen e 4 policëve në gusht të vitit 2009. Procesi ndaj Dajtit zgjati rreth 10 vite, ndërsa në Shkallë të Parë u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2014. Versus.al







