Dy shqiptarë janë arratisur mbrëmjen e djeshme nga burgu i Kassavetias në Greqi.
Të burgosurit Romeo Qosja, 41 vjeç nga Cërriku, dhe Lefter Toçi, 41 vjeç nga Bradasheshi i Elbasanit, ishin të dënuar me nga 20 vjet heqje lirie për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje, grabitje, shkatërrim prone me zjarr dhe pjesëmarrje në organizata kriminale.
Ata ndodheshin në një zonë të parrethuar të burgut për shkak të sjelljes së tyre të mirë dhe kishin përfituar nga 5 leje gjatë vitit 2024. Dyshohet se ata kanë planifikuar arratisjen pas kthimit nga një prej lejeve disa ditë më parë.
Policia greke është angazhuar në kërkimin e tyre, ndërsa autoritetet janë duke hetuar rreth kushteve që mund të kenë lejuar këtë arratisje.







