AKTUALITET /

Erion Veliaj reagon sërish nga burgu: Skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit

Veliaj ka theksuar se një tjetër shtëpi sikur është pronë e tij është identifikuar nga prokuroria bazuar në të dhënat e qelizave telefonike të tij, të cilat tregojnë se ai ka lëshuar sinjal 87 herë në zonën e Kavajës gjatë muajve prill-maj 2023.

Shkruar nga Versus

Erion Veliaj reagon sërish nga burgu: Skuthi më ka hetuar fiks si

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar përsëri nga qelia e paraburgimit në Durrës, duke kundërshtuar akuzat e prokurorit Ols Dado dhe duke ofruar sqarime në lidhje me faktet e paraqitura në dosjen hetimore të SPAK.

Veliaj ka theksuar se një tjetër shtëpi sikur është pronë e tij është identifikuar nga prokuroria bazuar në të dhënat e qelizave telefonike të tij, të cilat tregojnë se ai ka lëshuar sinjal 87 herë në zonën e Kavajës gjatë muajve prill-maj 2023.

Ai shpjegon se këto sinjale janë të lidhura me aktivitetet e tij politike, pasi në këtë periudhë ka drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë dhe Kavajë, si dhe fushatën e anëtarësimeve të reja në PS.

Statusi i Erion Veliajt: 

Përshëndetje të dashur miq,
Uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur, kështu që, skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit me syrin te vrima e çelësit dhe pastaj më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit, për gjëra që po i mësoj në burg.

Që të keni një ide për besueshmërinë e materialeve të llaçit që ka gatuar prokurori ndërtues, në konflikt të hapur interesi, po ju jap një detaj komik nga leximet e mia.

Siç ju thashë, Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes.

Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023.

Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe Spakut një turp të tillë.
Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, (madje, dy herë në Rrogozhinë), në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS.

Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur mua në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar.

Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij.

Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në Spak shokët - pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore.

Më falni ta mbyll me një përshëndetje vëllazërore të gjithë stafit të Bashkisë së Tiranës.
Përqafime dhe shumë dashuri të gjithëve ju!/ Versus.al

Poll