
Tiranë- Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur dy mjekët gjinekologë në maternitetin “Koço Gliozheni”, konkretisht Ervis Vatën dhe Aida Hoxhën për veprën penale “neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Sipas hetimeve të kryera pas kallëzimit të bërë nga nëna që humbi foshnjën, doli qartë se vdekja e foshnjës së porsalindur erdhi si rezultat i dëmtimeve të rënda gjatë lindjes të shkaktuara nga përdorimi i forcepsit, mjet që përdoret zakonisht në lindjet e vështira kur lindja natyrale nuk përparon, ose është tepër vonë për ndërhyrje kirurgjikale.
Dëmtimet që çuan në shok traumatic të foshnjës, nuk kanë qenë pasojë e një komplikacioni të paparashikueshëm, por rrjedhojë direkte e mungesës së ndërhyrjes në kohë për të shmangur përdorimin e forcepsit nëse lindja do të ishte bërë me seksio cezarian siç ishte planifikuar paraprakisht.
Mosveprimi i të pandehurve, mjekes që u kujdes në procesin e shtatëzanisë si dhe mjekut roje të gatshëm, në kundërshtim me detyrimet e tyre profesionale, kanë qenë faktori vendimtar që çuan në zhvillimin e një procesi të rrezikshëm të lindjes, i cili përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një fëmije të sapolindur. Versus.al







