Laert Haxhiu, i dënuari me burg të përjetshëm nga GJKKO për ngjarjen e njohur si “masakra e Lushnjës” në 2017-ën, do të esktradohet sot nga Greqia.
Versus.al mëson se tre furgona policie do të jenë në pikën kufitare të Kakavijës për ta shoqëruar Haxhiun drejt ambienteve të burgut ku do të vuajë dënimin.
Në 24 prill, Gjykata e Posaçme dënoi me burg të përjetshëm në mungesë, Laert Haxhiun të akuzuar për masakrën e Lushnjës të 2017-ës ku u vranë Zamir Latifi, mik i nipit të Aldo Bares (me të cilin Haxhiu kishte konflikte) dhe Jurgen Hoxha teksa po qëndronin në një lokal në qendër të qytetit. Zanafilla e këtij atentati ishte që në 2016-ën, kur Haxhiu tentoi vrasjen e nippit të Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por pa ia arritur qëllimit.
Që pas asaj ngjarje, Haxhiu u shpall në kërkim por pavarësisht kësaj ai arriti të kryente masakrën në 2017-ën.
Dy vjet pas “masakrës së Lushnjës” ndodhën edhe dy vrasje të tjera. Njëra dyshohet se lidhet me Laert Haxhiun. Besnik Hida, daja i 23 vjeçarit Zamir Latifi i cili mbeti i vrarë në 2017-ën, u ekzekutua në një atentat mafioz në 2019-ën. Dyshohet se Hida kishte në plan të merrte hak për vrasjen e nipit të tij dhe prandaj Haxhiu ka vepruar për ta hequr qafe.
Laert Haxhiu u fundos përfundimisht pas dëshmisë së të penduarit Artan Tafani, i cili rrëfeu përfshirjen e të dyve, por edhe një grupi të madh personash në 16 ngjarje kriminale, mes të cilave 4 vrasje në Shqipëri dhe 2 të tjera në Greqi. Mes rrëfimit ishte dhe planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë, përfshirë prokuroren e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe atë të Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre.
6 vite pas masakrës, Laert Haxhiu u arrestua në Greqi, në maj të 2023-shit. Ndërsa Artan Tafani u arrestua në tetor të vitit të kaluar, disa ditë pasi grabiti me armë një pikë të këmbimit valutor në Tiranë. Versus.al
Njoftimi i policisë:
Ekstradohet drejt Shqipërisë, i shumëkërkuari me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, Laert Haxhiu.
32-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë veprash penale si: "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal", "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prishja e qetësisë publike".
Falë bashkëpunimit shumë të mirë mes Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, u bë i mundur ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Laert Haxhiu, 32 vjeç.
32-vjeçari është sjellë në Kakavije, në masa të larta sigurie, nga Policia greke dhe është marrë në dorëzim në Kakavije, nga Forcat Speciale “RENEA”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi:
-Gjykata e Lushnjës, në vitin 2017, e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", mbetur ne tentativë dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi Laert Haxhiu, më datë 25.09.2016, ka plagosur me armë zjarri shtetasit Xh. Sh. dhe S. Xh.;
-Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e ka denuar me burgim të perjetshëm, per veprat penale "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal", "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prishja e qetësisë publike".








