Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën për inceneratorin e Tiranës ndaj 12 të pandehurve. Seanca e radhës do të mbahet më 4 mars, ku avokatët e të akuzuarve do të paraqesin argumentet e tyre në mbrojtje.
Ditë më parë GJKKO njoftoi kalimin për gjykim të dosjes së inceneratorit të Tiranës ku 9 prej të pandehurve kërkuan gjykim të shkurtuar, mes tyre edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka. Kjo do të thotë se në rast dënimi, ata përfitojnë uljen e tij me 1/3-tën.
Vetëm Silena Tola, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi kërkuan gjykim normal dhe shqyrtimin e të gjitha provave të SPAK.
12 të pandehurit janë:
Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj, Silena Tola përbëjnë listën e të pandehurve që janë dërguar për gjykim.
Masat për inceneratorin u caktuan në dhjetor të vitit 2023. Alqi Bllako për të cilin është veçuar dosja hetimore, u dënua me 2 vite e 8 muaj në Apel disa ditë më parë për inceneratorin e Elbasanit pavarësisht se Shkalla e Parë e shpalli të pafajshëm. Ai gjithashtu është dënuar me po 2 vite e 8 muaj për inceneratorin e Fierit. Ndërsa për çështjen e inceneratorit të Tiranës i është veçuar gjykimi pasi akuzohet edhe për korrupsion. Versus.al







