AKTUALITET /

Korrupsion në zgjedhje, dënohet me 1 vit burg kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla

Shkruar nga Versus
Korrupsion në zgjedhje, dënohet me 1 vit burg kryebashkiaku i
Edison Memolla në SPAK

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla është dënuar me 1 vit burg nën akuzën e veprës penale korrupsion aktiv në zgjedhjet e pjesshme të 6 majit 2022 ku akuzohet se pagoi faturën e dritave të një abonenti në këmbim të votës për Partinë Socialiste. 

Në dalje ai tha për mediat se do ta ankimojë dënimin, sapo të zbardhet vendimi i gjykatës.

“Do e ankimojmë, presim të zbardhet vendimi i gjykatës”- u shpreh Memolla pasi doli nga salla ku u mbajt seanca në GJKKO.

Gjithashtu kryebashkiakut të Rrogozhinës i ndalohet të ushtrojë funksione publike për 5 vite. Edison Memolla ligjërisht ka të drejtë të vijojë të ushtrojë detyrën e tij si kryebashkiak i Rrogozhinës deri në një vendim të formës së prerë të Apelit të Posaçëm.

Gjithashtu janë dënuar me nga 1 vit burg edhe bashkëpunëtorët e tij Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamanin. Ndërsa për Isuf Toskun i cili u dënua me 8 muaj burg, u vendos konvertimi i dënimit me 1 vit shërbim prove. 

Tafxhafa, i ka premtuar një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati të caktuar në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvilloheshin në Rrogozhinë në datën 6 mars 2022.

Gjithashtu të pandehurit Blerim Xhamani dhe Isuf Tosku kanë falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor.

Memolla arriti të rizgjidhej kryetar i bashkisë Rrogozhinë si kandidat i PS në zgjedhjet e 14 majit 2023, por pas ankimimeve për parregullsi zgjedhjet u ripërsëritën në korrik duke konfirmuar Memollën si kryetar.

Por mandati do t’i mbetet në gjysmë në rast të marrjes së vendimit të formës së prerë në Apelin e GJKKO, gjë që do të sillte organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Rrogozhinës. Versus.al

Poll