
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mblidhet sot për të vendosur mbi mandatin e kryetarit të këtij institucioni, Alfred Balla pasi më 21 maj, Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi përjashtimin e tij për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.
Vendimi ka fuqi të prerë dhe duhet zbatuar ndërsa vetë Balla e konsideroi si “të turpshëm” dhe pa lidhje me postin e tij aktual. Më tej ai paralajmëroi se do t’i drejtohej Gjykatës së Strasburgut.
“Ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet GJEDNJ,” shkroi Balla në reagimin e tij.
Mbledhja e sotme mbahet në orën 11:00 dhe për zhvillimin e kësaj mbledhje duhet të plotësohet kuorumi i nevojshëm prej 7 anëtarësh. Të pranishëm pritet të jenë edhe përfaqësues të ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.
Alfred Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017, gjë që përcaktohej nga legjislacioni i vetingut të magjistratëve. Në KPK, trupa vlerësoi në shumicë se Balla e kishte humbur statusin e magjistratit pasi ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017 dhe e mbyllën procesin e tij pa një vendim përfundimtar.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e KPK në Kolegj, duke kërkuar vendosjen e sanksionit 15 vjeçar, propozim që u konsiderua i drejtë nga Kolegji.







