
Ditën e djeshme, SPAK zbuloi detaje lidhur me 33 urdhër arrestet e lëshuara në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë 2” ku u zbardhën disa ngjarje kriminale të ndodhura në vend ndër vite me eksponentë kryesorë të krimit vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja.
Veprimtaria e dy vëllezërve nisi rreth viteve 2006-2007 fillimisht me shitjen e sasive të vogla të kokainës në Itali duke u zgjeruar më pas edhe në vende të tjera të Evropës. Për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë.
Franc Çopja allias Franc Gergely kërkohej nga Belgjika ku rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm pasi u bë krimineli i parë që ekstradohej nga Dubai me anë të një traktati të nënshkruar mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Belgjikës.
Por si u zbulua Franc Gergely në Dubai?
Numri një i Çopjave, pavarësisht se njihej për maturinë e tij sa i takon fshehjes dhe mos-ekspozimit të aktivitetit të tij kriminal, e pësoi nga ekspozimi i një vile të ndërtuar për të në Dubai Hills gjatë vitit 2021. E gjitha erdhi nga një foto që zhvilluesi i projektit, publikoi në internet me çmimin që shkonte deri në 7.8 milionë euro. Por gjithçka mori fund për të pasi u ekstradua me avion privat drejt Belgjikës ku aktualisht po gjykohet për krimet e kryera.
Me njoftimin zyrtar të dhënë ditën e djeshme, SPAK zbardhi aktivitetin kriminal të vëllezërve Çopaj të përfshirë në disa vrasje si dhe grabitjen e Rinasit ku u vodhën 10 milionë euro nga autoblindat privatë. Versus.al







