
Fier- Policia ka arrestuar Ereleido Shebekun, 35 vjeçarin e shpallur në kërkim si organizatori kryesor i skemës mashtruese piramidale ‘’XUEX’’ që zhvaste paratë e qytetarëve duke i mashtruar me investime në kriptomonedha.
Ndërkohë në kërkim mbetet ende bashkëshortja e tij Alma Shebeku e cila dyshohet të ketë bashkëpunuar në këtë skemë mashtruese pre e së cilës kanë rënë qindra qytetarë, përfshirë edhe punonjës të bashkisë së Divjakës. Shebeku kontaktonte me një person me nofkën ‘Leo Smith’ që dyshohet se është shtetas britanik dhe e kontrollonte skemën abuzive që prej Britanisë së Madhe.
Në këtë platformë është futur Brunilda Ndini, punonjëse e Bashkisë së Divjakës. Edhe ajo ka rënë në pranga pasi ka futur në këtë skemë familjarë të saj, punonjës të Bashkisë së Divjakës, por edhe banorë të qytetit të Divjakës, si dhe nga fshatrat e Njësisë Administrative Tërbuf. Shumë prej këtyre personave kanë aplikuar në këtë platformë me familjarë të tyre si bashkëshortet, fëmijët dhe vëllezërit.
Nga ky investim të gjithë personat që luajnë në këtë platformë dhe bëjnë like përfitojnë shumën prej 1% të investimit të tyre. Pra çdo ditë e shtojnë investimin e tyre me 1% të vlerës së investuar. Investimin që disponojnë në telefon në platformën “XUEX”, shumën që duan të tërheqin e transferojnë në një llogari në “Binancë bankë” dhe nga kjo llogari këtë shumë e transferojnë në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dhe më pas kryejnë tërheqjen e parave rregullisht, ku banka ju mban komision për këto tërheqje dhe ju jep kopje të mandatit të tërheqjes së parave. Të gjithë pjesëmarrësit që janë regjistruar në këtë platformë, paratë i derdhin në bankë në llogaritë e tyre bankare me pretendim se duan të investojnë në shitblerjen e kriptomendhave dhe blerje online. Versus.al







