Gjykata e Posaçme e Apelit i ka hequr sekuestron vilës në pronësi të Fatime Kryemadhit, nënës së Monika Kryemadhit, ndërsa vila në pronësi të kësaj të fundit mbeti nën sekuestro. Deputetja e PL pretendoi se nuk kishte koherencë të dyshimeve të ngritura nga SPAK.
“Për çështjen CEZ-DIA që pretendohet se Fatime Kryemadhi ka bashkëpunuar me Ilir Metën për të blerë apartamentin e saj, Fatime Kryemadhi e ka blerë apartamentin në mars, ndërsa Ilir Meta dyshohet për një çështje që është gjykuar dy herë, bëhet fjalë për në dhjetor të 2010-ës. Automatikisht edhe gjyqtarja mori këtë vendim. Nuk ka koherencë dhe as sistemim të provave”- u shpreh Kryemadhi.
Ajo tha se do t’i drejtohet gjykatës së Lartë për një rekurs ndaj vendimit të Apelit të GJKKO për masën e caktuar ndaj saj. Ndërsa theksoi se do të vijojë të jetojë në të njëjtën vilë me nënën e saj në zonën “Kodra e Diellit” duke shpjeguar edhe sesi kishte nisur jetesa e saj dhe e Metës me të ëmën që në 1998-ën.
“Kur unë kam ngelur shtatzanë për herë të parë me vajzën time, nuk kam qenë as e fejuar as e martuar me Ilir Metën. Ajo më tha mua do vish të jetosh me mua dhe më dha 2 dhoma nga shtëpia e saj që të jetonim me Ilir Metën, se ne ishim si dy të rinj që çfarë fluturon hahet. Më pas mua më m’u sëmur babai dhe ajo kishte nevojë për mua. Kemi jetuar bashkë që në 98-ën”- tha Kryemadhi. Versus.al







