
Kreu i SPAK Altin Dumani ka raportuar ditën e sotme në Kuvend, ndërsa u është përgjigjur edhe deputetëve në lidhje me pyetjet e tyre për punën e Prokurorisë së Posaçme.
Deputeti Agron Shehaj pyeti kreun e SPAK nëse ka një vijë të kuqe në detyrën si kreu i SPAK.
Shehaj: Ka një vijë të kuqe që përtej ju e keni të pamundur të shkoni? Po të shohim faktet duket sikur ka një vijë të kuqe. Nuk besoj se ju mendoni që skandali 400 milion euro në krye ka patur Mërtirin dhe Zoton, nuk e beson asnjë. Ju nuk keni patur mundësi të shkoni përtej. Ka një vijë të kuqe?
Pyetja e dytë e Shehajt: Vërtet mendoni se kryeministri nuk ka dorë tek inceneratorët. Tek skandali 5 D nuk ka dorë kryetari i bashkisë së Tiranës? Këto janë pyetjet.
Dumani: Nuk kam nevojë për mbrojtjen e askujt zoti deputet. Mbrojtja ime e vetme janë ligji, kushtetuta dhe personaliteti dhe karakteri im. S’kam nevojë për mbrojtjen e askujt. Ka vetëm një vijë të kuqe që është prova dhe ligji. Procesi i hetimit është i vështirë. Provueshmëria është e vështirë. Prandaj detyra jonë, përpiqemi ta përmbushim, në çdo kallëzim të hetohen gjithë faktet e kallëzuar dhe të hetohet roli i çdo personi të kallëzuar. Këtë bëjmë me hetimet e çështjeve që kemi në dorë. Provueshmëria është faza që pason grumbullimin e provave. Kjo është vija e kuqe. Nuk kemi vijë të kuqe. Ushtrojmë funksionet tona në mënyrë të pavarur nga politika dhe krimi. Ligji dhe kushtetuta na e garantojnë. Prokurori nuk i lejohet të shfaqë mendimet kështu por të grumbulloje prova dhe të disponojë me kate proceduriale përkatëse. Nuk jap mendim. Por zoti Shehaj, çdo gjë ka kohën e vet. Hetimi kërkon ndërveprimin e shumë institucioneve, prandaj vërtet janë çështje që kërkojnë angazhim, burime njerëzore.







