AKTUALITET /

Hita e nis detyrën me dorë të hekurt, 'shkrin' komisariatin e Peqinit pas kanabisit në magazinën e drejtorit të burgut

Romario Hasa vijon të jetë në kërkim për 2 magazinat me mbi 4 mijë rrënjë kanabisi.

Shkruar nga Versus
Hita e nis detyrën me dorë të hekurt, 'shkrin'
Drejtori i burgut Rrogozhinë Bilal Hasa dhe magazina ku u gjet kanabisi

Shtatë punonjës të policisë janë pezulluar nga detyra pas zbulimit të 2 magazinave ku ishte kultivuar kanabis në Peqin. Ambientet ishin në pronësi të drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, por rezultoi se përdoreshin nga vëllai i tij. 

Policët akuzohen se nuk kanë zbatuar detyrën e tyre për zbulimin e lëndës narkotike dhe arrestimin e personave përgjegjës. Vendimi është marrë nga drejtori i ri i policisë së shtetit, Skënder Hita. 

Në kërkim për bimët narkotike është vëllai i Bilal Hasës, Romario Hasa i cili kishte nën administrim dy magazinat dhe madje raportohet se kishte angazhuar edhe persona të caktuar për ruajtjen e tyre. Në kërkim për shpërdorim detyre është edhe një punonjës i OSHEE.

Njoftimi i policisë:

Pezullohen nga detyra 7 punonjës policie, për moszbatim haptazi të dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale, në lidhje me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, më datë 19.03.2026.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në vendngjarje, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë ligjore, lidhur me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, që u zbuluan më datë 19.03.2026, Drejtoria e Standardeve Profesionale filloi hetim disiplinor, në zbatim të nenit 121, pika 1, germa “i”, të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, “Moszbatim haptazi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, për punonjësit e Policisë:

Komisar A. G., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;

Komisar D. K., me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Nënkomisar S. D., me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Inspektor M. Z., me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;

Nënkomisar B. L., ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;

Komisar D. S., ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;

Inspektor A. K., ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.

Për këta punonjës, për mangësi të konstatuara gjatë përmbushjes së detyrës, bazuar në nenin 163, pika 3, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025, u bë pezullimi disiplinor nga detyra.

Policia e Shtetit është e vendosur për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për të çuar para drejtësisë autorët e saj, si dhe për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që nuk përmbush detyrat funksionale, që bëhet ndihmës apo palë me shtetasit që kryejnë këtë veprimtari. Versus.al

Poll