AKTUALITET /

Miku i Licëve në arrati, Ervis Baba 'mbyll gojën' para policisë: Nuk e njoh, ngriti dorën në rrugë dhe e mora!

Bajram Bregu, i dyshuar për të shtënat me armë në Shkodër, shpëtoi nga policia duke u larguar me rrugicat e lagjes, ndërsa drejtuesi i makinës u arrestua. Gjatë kontrolleve u sekuestruan një pistoletë dhe një gëzhojë, por dyshohet se i dyshuari mund të ketë pasur armë të tjera.

Shkruar nga Versus
Miku i Licëve në arrati, Ervis Baba 'mbyll gojën' para
Barush alias Bajram Bregu

Detaje të reja dalin nga operacioni i zhvilluar në Shkodër disa ditë më parë, ku objektivi ishte kapja e Bajram Bregut, i njohur edhe me nofkën “Barush” dhe mik i fisit Lici.

Ai dyshohet se ka qëlluar me armë gjatë ndjekjes nga policia dhe më pas është larguar nga vendngjarja, duke shmangur arrestimin.

Ngjarja ndodhi ndërsa Bregu udhëtonte në një automjet të drejtuar nga Ervis Baba, 43 vjeç, ku ndodhej edhe një 17-vjeçar.

Patrulla e forcave “Shqiponja” i bëri shenjë për të ndaluar, por drejtuesi i makinës nuk iu bind urdhrit dhe shtoi shpejtësinë.

Në një rrugicë të lagjes Kiras, Bregu zbriti dhe qëlloi një herë në ajër me pistoletë, me qëllim për të kërcënuar efektivët, më pas u largua duke përdorur rrugicat dhe oborret e brendshme.

Policia rrethoi zonën dhe gjatë kontrolleve sekuestroi një pistoletë me karikator dhe një gëzhojë plumbi, megjithëse ekspertiza paraprake tregoi se gëzhoja nuk përputhet me armën e sekuestruar, duke ngritur dyshime se Bregu mund të ketë pasur edhe armë të tjera.

Drejtuesi i automjetit, Ervis Baba, përfundoi në pranga dhe ka mohuar njohjen me personin e dyshuar dhe deklaroi se e kishte marrë rastësisht në makinë.

“Një person më ngriti dorën teksa po ecja me makinë. U ndala dhe e mora, por nuk e di kush ishte. Nuk e njoh dhe nuk kam lidhje me të. Nuk e di nëse ishte Bajram Bregu apo dikush tjetër”, mësohet të ketë thënë ai para hetuesve.

Ndërsa 17-vjeçari që ndodhej në automjet nuk ka dhënë asnjë sqarim./Versus.al

Poll