Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka vendosur unanimisht se refuzimi i autoriteteve shqiptare për të pranuar një kandidat në Shkollën e Magjistraturës për trajnim si prokuror, për shkak të një dënimi penal të marrë kur ishte i mitur, përbën shkelje të Nenit 8 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që garanton të drejtën për respektimin e jetës private dhe familjare.
Rasti lidhet me Shiqiri Manjanin, një shtetas shqiptar 33-vjeçar nga Pogradeci. Në vitin 2006, kur ishte 15 vjeç, ai u dënua për vjedhje me 8 muaj burgim, por gjykata e asaj kohe mori parasysh moshën e tij të mitur, rrezikun e ulët shoqëror dhe kthimin e sendit të vjedhur, duke pezulluar dënimin për tre vjet.
Në vitin 2017, Manjani u rehabilitua ligjërisht dhe vijoi karrierën në drejtësi, fillimisht si avokat në sektorin privat dhe më pas, që nga viti 2019, si oficer i policisë gjyqësore në një prokurori.
Në shkurt të vitit 2020, ai aplikoi për programin trevjeçar të trajnimit si prokuror në Shkollën e Magjistraturës. Edhe pse deklaroi dënimin dhe kaloi provimet hyrëse, në dhjetor të po atij viti Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi të mos e pranojë, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar që ndalon personat me dënime penale të hyjnë në sistemin e drejtësisë, pavarësisht rehabilitimit.
Ankimimet e tij në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese u rrëzuan, me argumentin se masa synonte ruajtjen e integritetit të magjistratëve.
Në vendimin e saj, GJEDNJ theksoi se refuzimi nuk kishte lidhje me mungesë kualifikimesh profesionale, pasi Manjani kishte kaluar provimet dhe kishte përvojë si jurist.
Gjykata kritikoi autoritetet shqiptare për moskryerjen e një vlerësimi individual të rastit, duke mos marrë parasysh moshën e tij në kohën e veprës, natyrën jo të dhunshme të saj, kohën e gjatë të kaluar që nga dënimi dhe rehabilitimin ligjor.
Sipas GJEDNJ, ndalimi absolut dhe i përhershëm ishte joproporcional dhe nuk respektonte parimet e drejtësisë për të miturit. Në vendim thuhet se autoritetet shqiptare trajtuan një vepër të kryer në moshë të mitur si të ishte kryer nga një i rritur, duke injoruar qëllimin e rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri.
Si përfundim, Gjykata urdhëroi Shqipërinë t’i paguajë Shiqiri Manjanit 4,500 euro dëmshpërblim jomaterial për shkeljen e të drejtave të tij./Versus.al

