AKTUALITET /

Sherr mes familjarëve në Bulqizë, tre të plagosur dërgohen me urgjencë në spitalin e Traumës

Tre persona mbetën të plagosur pas një konflikti mes disa personash në Bulqizë mbrëmjen e 10 marsit, ku dyshohet se u përdorën mjete prerëse. Të plagosurit u dërguan për mjekim në Tiranë, ndërsa policia është në kërkim të dy autorëve të dyshuar.

Shkruar nga Versus

Sherr mes familjarëve në Bulqizë, tre të plagosur

Një konflikt mes disa personash në qytetin e Bulqizës ka përfunduar me tre të plagosur, të cilët janë transportuar drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 10 marsit, rreth orës 20:30.

Sipas informacionit paraprak nga policia, pas një konflikti të çastit janë përfshirë në përplasje fizike shtetasit me iniciale Q. B., A. T. dhe D. H. Ata janë shoqëruar menjëherë nga shërbimet e policisë në Komisariatin e Bulqizës për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Rreth orës 21:00, situata është përshkallëzuar sërish jashtë ambienteve të një lokali, ku janë mbledhur familjarët e personave të shoqëruar. Në këtë moment, shtetasit me iniciale J. C. dhe Y. Sh. janë konfliktuar fizikisht me shtetasit R. D., A. K. dhe R. T.

Si pasojë e përplasjes, tre persona kanë mbetur të plagosur, dyshohet me mjete prerëse. Të dëmtuarit janë identifikuar si Fluturim Tolle, 26 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, si dhe Adhurim Koçi, 26 vjeç dhe Renaldo Dauti, 22 vjeç, për të cilët ende nuk ka një konfirmim zyrtar për gjendjen e tyre shëndetësore.

Të tre të plagosurit janë transportuar drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Ndërkohë, shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të dy autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasve J. C. dhe Y. Sh., ndërsa zona po krehët për kapjen e tyre.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit./Versus.al

Poll