Detaje të reja janë mësuar nga arsenali i armëve të zjarrit të sekuestruara mbrëmjen e së martës në zonën e Myslym Shyrit në Tiranë.
Armët e zjarrit ishin të fshehura në një furgon që mbante mbishkrimin “mirëmbajtja rrugore” si kamuflim, ndërsa prej një muaji qëndronte i parkuar në një zonë. Gjithashtu si logo e furgonit vihet re "Gener 2", një kompani ndërtimi me bazë në Tiranë. Mjeti është në emrin e 34 vjeçarit të arrestuar, Eugert Sino i cili e kishte parkuar pranë banesës së tij. Ky i fundit ka deklaruar në polici se nuk kishte dijeni mbi armët dhe se nuk e ka idenë se kush mund t'i ketë futur në furgonin e tij.
Fillimisht është ndërhyrë nga policia rrugore e cila i ka kërkuar që të lëvizte mjetin pasi bllokonte rrugën. Më pas sapo kanë konstatuar armët, është bërë ndërhyrja, por mësohet se për rreth 1 muaj ky furgon ka qenë nën monitorim.
Arsenali i armëve dyshohet se vinte nga Kosova për t’u përdorur nga një grup kriminal që kishte shkrirje në Burrel, Laç dhe Tiranë. I arrestuari rezulton me precedentë të mëparshëm penalë, ndërsa po punohet për kapjen e dy personave të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet publik për shkak të hetimeve.
Për këtë bazë armatimi të zbuluar ka reaguar edhe drejtori i policisë, Ilir Proda i cili thotë se falë këtij operacioni është mundësuar parandalimi i ngjarjeve kriminale që mund të kryheshin me këto armë. Versus.al

