
Tiranë- Biznesmeni Ervis Lami është rikthyer sot në burg pas vendimit të Apelit të GJKKO ku akuzohet për përfitime të paligjshme në tenderat publikë me kompaninë “DAAM” ku ishte administrator.
Lami dyshohet se ka bashkëpunuar me ish-kreun e ARRSH Evis Berberi për të përfituar tendera publikë në mënyrë të paligjshme në kompaninë “DAAM” e cila “de facto” kishte pronar Berberin. Ndaj Lamit u lehtësua masa e sigurisë më 14 qershor, duke e lënë në arrest shtëpie por pas seancës së sotme u vendos rikthimi i tij në burg.
Arrestimi i tij u bë me 13 mars të këtij viti kur falë urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK, ra në pranga edh eish-drejtori i ARRSH Evis Berberi i cili akuzohet se gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe në krye të Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë 6 tenderë kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj “NET - GROUP”, sh.p.k. Të paktën 2.2 milionë euro ka qenë përfitimi i drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi në bashkëpunim me 2 biznesmenët. Versus.al







