
Dy "fletë-arresti" janë prerë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Një masë e re i është komunikuar në burg ish-drejtuesit të IKMT-së, Zambak Gjonit, ndërsa me SPAK është përballur edhe ish-drejtori i burgut të Vlorës, Artjon Rrokaj. Sipas "CNA", për të dy është marrë një vendim i GJKKO-së me kërkesë të prokurorit të çështjes Bledar Maksuti.
Të dy, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë çuar në redaksitë e mediave dhe personave të tjerë dokumente të dosjeve që janë ende duke u hetuar nga SPAK. Pra, kanë nxjerrë sekretin hetimor. Megjithatë, edhe pse ka një masë sigurie ndaj tyre, ende nuk ka një sqarim zyrtar nga ana e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Hetimi vazhdon dhe pas arrestimit të dy zyrtarëve pritet një operacion që mund të përfshijë edhe emra të tjerë.







