Nesër nis muaji i shenjtë i Ramazanit, i shumëpritur nga besimtarët muslimanë. Kreu i Komunitetit Musliman Shqiptar, Bujar Spahiu nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetin social i uroi besimtarët shqiptarë për agjërim të lehtë.
“Me zemrën plot mirënjohje ndaj Krijuesit të gjithësisë, i Cili na mundësoi ta arrijmë sërish këtë muaj të shenjtë, ju përcjell urimet më të përzemërta për një agjërim të lehtë dhe të pranuar, si në emrin tim personal, po ashtu edhe në emër të institucionit që unë drejtoj.
Ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve.
Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit”- u shpreh Spahiu ndër të tjera.
Ai bëri thirrje për forcimin e lidhjeve familjare dhe me të afërmit gjatë këtij muaji të shenjtë ndërsa tha se agjërimi është një proces i thellë shpirtëror.
“Në këtë muaj të shenjtë, le të forcojmë jo vetëm lidhjet tona me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin tonë më të ndjeshëm dhe më të bashkuar.
Allahu (xh.sh.) thotë në Kur’an: "O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat."
(Sureja El-Bekare, ajeti 183)
Ky mesazh hyjnor na rikujton se agjërimi nuk është vetëm një sakrificë fizike, por një proces i thellë shpirtëror, që synon ndërtimin e një personaliteti të qëndrueshëm, të devotshëm dhe të mbushur me vlera të larta morale. Të dashur besimtarë shqipfolës, kudo që jetoni e punoni, uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë begati, paqe dhe harmoni në familjet tona dhe në mbarë shoqërinë”- tha Bujar Spahiu. Versus.al







