
Mes të dhënave nga dosja hetimore e SPAK ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, renditen edhe detaje sa i takon pagesave fiktive prej të cilave kanë përfituar kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa.
Biznesmeni Sokol Kryeziu ndaj të cilit GJKKO miratoi dje me kërkesë të SPAK masën “detyrim paraqitje”, me kompaninë e tij “Gerard -A” ku kishte punuar më parë si fatorino, ka arritur të fitojë 20 tendera që prej vitit 2018 deri në 2023-in.
Ajo çfarë bie në sy gjatë këtij fragmenti të dosjes është fakti se Kryeziu më parë kishte qenë i punësuar si pastrues në Drejtorinë e Përgjithshme të Pastrim Gjelbërimit nga tetori i vitit 2017 deri në shkurt të 2018-ës. Më pas bleu për shumën 33.4 mln lekësh kompaninë për shërbimet e transportit “Gerard A” ku më parë kishte punuar si fatorino.
Kryeziu më pas ka punuar si drejtor në shoqërinë “Green Line” për një rrogë prej 50 mijë lekësh në muaj. Sipas ndërveprimeve me entet publike, shitjet e kësaj kompanie kapin vlerën 600,076,636 lekë me TVSh, të cilat janë rezultat i procedurave të prokurimit që janë fituar nga shoqëria me entet në varësi të Bashkisë së Tiranës.
Kompania “Gerard A” gjatë 2023-it ka faturuar miliona lekë ndaj bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të pastrimit për shërbime të ndryshme. Ndërsa nga periudha 2023 deri në janar të 2024-ës, pronari i kësaj kompanie, Sokol Kryeziu rezulton të ketë blerë piktura nga shoqëria “Nan Gallery” me administrator Daniela Vuksanin, kompani që rezulton të jetë e kontrolluar faktikisht nga Ajola Xoxa me qendër “Harabel”. Në këtë mënyrë SPAK ka arritur në përfundimin e kryerjes së pagesave fiktive nga bashkia Tiranë drejt kompanisë së Kryeziut, me përfundues fundor qendrën “Harabel” të Ajola Xoxës. Versus.al







